Në sallën e Qendrës Kulturore Informative ne Shkup, u promovua botimi i miniaturave për flaut dhe piano nga kompozitori ynë i mirënjohur Valton Beqiri. Fillimisht fjalën e mori ideatorja e këtij projekti flautistja Sarana Ademi, e cila shtjelloi procesin deri te realizimi përfundimtar i veprave me motive nga te gjitha trojet shqiptare. Ajo u shpreh se ky botim do të jetë në funksion të muzicientëve për shumë vite. Sipas recenzentes prof. Venera Mehmetagaj-Kajtazi, këto miniatura ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së veprave nga njëra prej tyre e deri te kombinimi apo realizimi i tyre në tërësi.
Ajo po ashtu theksoi se këto vepra do të jenë pjesë e shpeshtë e repertorit koncertal jo vetëm në suaza kombëtare por edhe ndërkombëtare.
Sipas kompozitorit prof.ass.Drinor Zymberi, këto vepra paraqesin një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të literaurës muzikore për këtë formacion. Në rrafshin kompozicional ato paraqesin një sintezë në mes muzikës burimore shqipe dhe asaj profesionale – artistike, duke i bërë model atraktiv si për instrumentistin ashtu edhe për dëgjuesin. Anëtari i panelit, prof.Blerim Grubi u shpreh mjaft i lumtur për këtë ngjarje. “Mund të them se është një ditë e veçantë ku për herë tē parë kemi një përmbledhje të veprave në një botim të vetëm”, tha Grubi.
Në ndërkohë, kompozitori Beqiri falënderoi të pranishmit si dhe ideatoren Sarana Ademi për punën dhe angazhimin. Në kuadër të këtij promovimi , u interpretuan edhe disa nga veprat e këtij albumi nga flautistja Sarana Ademi nën përcjelljen pianistike të vetë autorit. Ky botim është mbështetur nga Ministria e kulturës së Republikës së Maqedonisë së veriut, Komuna e Çairit, si dhe Komuna e Prishtinës.