Shkup, 20 dhjetor– Venko Filipçe është kandidat i konfirmuar për ministër të Shëndetësisë, ndërsa priten partnerët e tjerë të koalicionit t’i dorëzojnë propozimet e tyre për vendet e tjera të zbrazura dhe të gjitha në pako si propozim të kryetarit të Qeverisë të dorëzohen në Kuvend.
Këtë e theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski në përgjigjen e pyetjes në konferencën e sotme për shtyp, duke theksuar se bëhet fjalë për moment teknik kur do të dërgohen emrat.
“Emrat e kandidatëve për ministra së shpejti do të dorëzohen në Kuvend”, tha Boshnjakovski.
Ai konfirmoi se është paraparë të ketë referendum nëse gjendet zgjidhje e pranueshme e përbashkët me Greqinë dhe shtoi se negociatat vijojnë dhe se në këtë fazë ende nuk ka zgjidhje të dukshme për problemin që e ka Greqia me emrin tonë kushtetues.
I pyetur nëse kryeministri Zaev për Vitin e Ri do të shkojë në Selanik, theksoi se nuk mund të japë përgjigje precize dhe theksoi se për momentin ende janë duke u konfirmuar disa hollësi.