Athinë, 28 mars – Emër i përbërë me përcaktim gjeografik, në gjuhën maqedonase, sipas mundësisë pa përkthim, për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm ndërkombëtar dhe dypalësh, madje edhe me vendet që tashmë e kanë njohur Maqedoninë me emrin kushtetues, janë pozicionet e ministrit grek të Punëve të Jashtme dhe ish-zëvendëskryeministrit, Evangelos Venizelos.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, në prezantimin e librit “Çështja e Maqedonisë”, Venizelos tha se zgjidhja nuk duhet të jetë e pjesshme ose e përkohshme, por zgjidhje e plotë dhe e njëfishtë.
“Zgjidhja duhet të jetë me emër të përbërë me përcaktim gjeografik në gjuhën sllave, sipas mundësisë i papërkthyer, që nuk do të lë zbrazëtira dhe moskuptime në formulim dhe kryesisht, do të jetë erga omnes. Respektivisht do të jetë një edhe për përdorim të brendshëm edhe për të jashtëm, pa diferencë ekzistuese mes emrit të brendshëm kushtetues dhe emrit ndërkombëtar për përdorim në organizata ndërkombëtare. Kur flasim për përdorim të jashtëm, mendojmë në emër për të gjitha përdorimet edhe në organizata ndërkombëtare edhe në aspektin dypalësh me Greqinë edhe në aspektin dypalësh me të gjitha vendet, që e kanë njohur vendin me emrin kushtetues, ndërsa do të duhet të deklarojnë se e njohin me emrin e ri kontraktues. Pastaj do të zgjidhen të gjitha problemet teknike, që kanë të bëjnë me gjuhën prodhimet, kombësitë etj”, thotë Venizelos.
Ai foli edhe për kornizën juridike të zgjidhjes. Pyeti, “nëse zgjidhja do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare ose në revizion të Kushtetutës së Maqedonisë?”. Konsideron se nevojiten garanci juridike dhe politike.
Nga ana juridike zgjidhja do të vuloset me marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa garanci politike për Greqinë do të ishte ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë, por e votuar me shumicë të rritur në Kuvend.
Venizelos, i cili është profesor i të drejtës kushtetuese, sqaron se garanci ndërkombëtare është marrëveshja ndërkombëtare “që do t’i obligojë palët, pavarësisht nga ndryshimet e brendshme politike, veçanërisht nëse kjo marrëveshje është e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit”.
Lidhur me garancitë politike, tha se nëse tani në Shkup nuk bëhen ndryshime kushtetuese me shumicë të rritur, atëherë mundet në të ardhmen ndonjë Qeveri tjetër të bëjë revizion të ri apo ta kthejë në Kushtetutën e vjetër.
Në prezantimin e librit, Venizelos tha se një ndër problemet e rëndësishme në këtë moment është edhe reagimi i një pjese të madhe të shoqërisë greke dhe mendimit publik grek. Shtoi se protestat e mbajtura në Selanik dhe Athinë, nuk janë vazhdim i protestave nga viti 1992, por reagim i mënyrës së politikës në periudhën e krizës në Greqi.