Kiev, 23 dhjetor – Që dje hyri në fuqi regjimi i përhershëm pa viza midis Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, njoftoi në Tuiter sekretari shtetëror i Ministrisë për Punë të Jashtme të Ukrainës, Andrij Zajac.
“Fillimi i regjimit pa viza me Maqedoninë e Veriut në baza të përhershme do të thotë heqjen e vizave afatshkurtra dhe afatgjata (emigruese)”, thekson Zajac, duke shtuar se shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës që posedojnë pasaporta biometrike do të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në vendin tjetër dhe të qëndrojnë në të deri në 90 ditë.
Qeveria ukrainase më 21 gusht e miratoi Marrëveshjen me vendin për kushtet e heqjes së regjimit të vizave me vendin tonë. Më 18 dhjetor, të dy shtetet nënshkruan Marrëveshje për heqjen e vizave afatshkurtra dhe afatgjata emigruese, si dhe fillimin e regjimit pa viza.