Evis HALILI
Shkup, 15 shtator – Pas ngritjes së grupeve të punës me ekspertë të aferave të ndryshme, Ministria e Kulturës ka organizuar prezantimin e parë publik të dokumentit për politikat kulturore, përkatësisht Strategjisë për zhvillimin e kulturës gjatë katër viteve të ardhshme, shkruan gazeta KOHA. Transformime të vërteta që do të sjellin cilësi më të madhe, përfshirje, stabilitet dhe avancimin e kulturës dhe artit në Maqedoni për një periudhë më të gjatë janë ato që priten nga ky dokument. Në debatin e parë në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues institucionesh, shoqatash, artistë, e të tjerë si imediate janë cekur transparenca në vendimmarrje dhe decentralizimi sa më i shpejtë i kulturës si disa prej piketave mbi të cilat do të duhet të zhvillohen politikat kulturore për periudhën në vijim. Çelja e debatit publik bëhet për shkak se ky institucion kërkon që qytetarët të jenë pjesë aktive në ndërtimin e vizionit dhe kahen që duhet të marrë arti dhe kultura në vitet në vazhdim. Vetë ministri i kulturës, Robert Allagjozovski, në fjalën e tij e ka cilësuar si thelbësore përfshirjen e qytetarëve në proceset transformuese dhe ndërtimin e politikave të zhvillimit kulturor. “Ministria e kulturës është duke hyrë jo formalisht, por në mënyrë esenciale me të gjitha kapacitetet e saj në të gjitha proceset strategjike të cilat do të duhet të definojnë zhvillimin e mëtejshëm të kulturës dhe artit, si në periudhë afatmesme, por edhe për një kohë më të gjatë. Dhe ky vizion nuk mund të imponohet dhe të vijë me urdhër nga lart, por duhet që t’i përfshijë të gjitha palët në formësimin e saj”, ka thënë ndër të tjera ministri.
Pas forumit “Si ta afrojmë kulturën tek qytetarët”, draft dokumenti i Strategjisë për zhvillimin e kulturës për periudhën 2018-2022, do të duhet të finalizohet pas sugjerimeve dhe propozimeve të bëra nga aktivistë të kulturës dhe artit. Ai është punuar për rreth një muaj nga grupi i punës që u ngrit nga Ministria e Kulturës. Konkluzioni i anëtarëve të këtij grupi pune ishte se në hartimin e këtij dokumenti do të duhej të përfshiheshin edhe një rreth më i gjerë ekspertësh dhe profesionistësh nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, në mënyrë që strategjia të mos jetë thjesht një dokument, por një udhërrëfyese në zbatimin e politikave kulturore të Qeverisë së re. Koordinatori i grupit të punës është Zllatko Teodosievski, në të po ashtu janë edhe dy anëtarë shqiptarë, si Valmira Istrefi dhe Xhevdet Jashari. Muajin e kaluar në Ministrinë e Kulturës u ngritën disa grupe pune, si ai për analizën e projektit “Shkupi 2014” dhe perspektivën e tij, po ashtu u formua edhe Këshilli i Kulturës. (koha.mk)