Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 maj – Afaristët thonë se qeveria e re duhet t’u japë përparësi problemeve ekonomike reale me të cilat ballafaqohen kompanitë në punën e tyre të përditshme. Maqedonia vitin e kaluara e përfundoi me shkallë të ulëta të rritjes ekonomike, ndërsa edhe për sivjet parashikimet nuk janë optimiste, si rrjedhojë e pasojave të krizës politike, bllokimit të institucioneve, përkeqësimit të likuiditetit, shkruan gazeta KOHA. Komuniteti i biznesit thekson se qeveria e re duhet të hap debat shoqëror për prioritetet ekonomike, gjegjësisht se çka dëshirohet të arrihet me harxhimin e parave buxhetore që si proces duhet të jetë transparent në mënyrë maksimale. Ndër prioritet e ekzekutivit të ri, porositin afaristët, duhet të jetë edhe ulja burokracisë, reforma e buxhetit si dhe rritja investimeve në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe energjetike, kthimin e sundimit të ligjit etj.
Sipas analizës së revistës “Kapital”, përcjell KOHA, qeverinë e re e pret periudhë e vështirë e miratimit të vendimeve të rënda ekonomike, vendosjes nën kontroll të borxhit publik në rritje , kthimin e kredive, që nuk do të ngufasin rritjen ekonomike. Andaj, hapësira për manovër të qeverisë së re nuk është e madhe, për shkak do të duhet të fiken mjaft “zjarre” , ndërsa qeveria e re do të duhet të vendosë se a do të vazhdojë me politikat populiste të dhurimit të subvencioneve të ndryshme , apo të të krijojë hapësirë dhe kushte që kompanitë të fillojnë të investojnë dhe hapin vende të reja të punës. Komuniteti i biznesit pret kthimin sa më të shpejtë të stabilitetit dhe krijimin e kushteve normale për udhëheqjen e biznesit, që nuk do të jetë një proces aspak i lehtë. Problemi kryesor për biznesin mbetet borxhi i shtetit dhe ndërmarrjeve publike ndaj sektorit privat, që jozyrtarisht arrin në së paku një miliardë euro. Është e qartë se Maqedonisë i nevojiten para të freskëta që të ketë rezultate të caktuara në planin ekonomik. Mbetet të shikohet se si qeveria e re do të financojë projektet e reja, por edhe detyrimet e ndryshme si përmes rritjes së mundësive financiare të Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit, përmes kredive në bankat komerciale, përmes fondeve evropiane dhe linjave të jashtme kreditore e kështu me radhë.
TRE PROBLEMET KRYESORE, ZHVILLIMI NË 10 SHTYLLA
Sipas numrit një të Odës ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, reforma e gjyqësorit, zgjidhja e jolikuiditetit të kompanive dhe ekonomia informale, janë tre problemet kryesore që kërkojnë zgjidhje prioritare. Oda ekonomike e Maqedonisë ka propozuar modelin e zhvillimit të Maqedonisë të bazuar në 10 shtylla . Kjo është përgatitja e modelit të ri të zhvillimit ekonomik që do të nxisë prodhimtarinë dhe eksportin, strategjinë për zhvillim ekonomik të përshpejtuar, e kështu me radhë.
OEM kërkon që Maqedonia të vazhdojë me politikë e tërheqjes së investimeve të huaja, por njëherazi të përkrahë edhe kompanitë vendore përmes stimulimeve direkte të eksportit dhe industrializimit të sërishëm, si dhe ndërtimit të bankës së vërtetë zhvillimore që do të përkrahë politikat e zhvillimit. “Ajo çka mund të them është se politika qeveritare agresive në pjesën e tërheqjes së investimeve të huaja sikur i frustëroi investitorët vendor dhe nuk i nxiti ata. Mendoj se nevojitej përkrahje alternative përmes Bankës shtetërore për përkrahje të zhvillimit. Për fat të keq, kjo bankë shtetërore nuk arriti të transforomohet në mënyrë që të jetë përkrahje serioze për kompanitë vendore përmes kreditimit më të lirë. Mbetet të shikohet se cili do të jetë roli i saj si servis i shtetit apo si bankë komerciale që do të konkurrojë bankat e tjera”, thotë për KOHA, kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski. Nga ana tjetër, Fatmir Bytyqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se nga qeveria e re pritet qasje shumë më ndryshe në raport me zhvillimin ekonomik dhe vetë afaristët.
“Presim që raporti i qeverisë së re me komunitetin e biznesit të jetë në formë të partneritetit, si dhe të përcaktohen qartë dhe në aspekt afatgjatë kahet e zhvillimit. Presim që publikisht të flitet për marrëveshjet e ndërsjella kontraktuale, si dhe të njëjtat të shlyhen në afat të arsyeshëm. Gjithashtu, vlerësoj se ndryshimi i kursit të përkrahjes së kompanive vendore përkundër investimeve të huaja është i nevojshëm, dhe kjo në një periudhë afatmesme do të jap më shumë rezultate se sa politikat e mëparshme qeveritare të përkrahjes vetëm të kompanive të huaja”, shprehet Bytyqi. Sipas tij, qeverisja e re në të ardhmen do të ballafaqohet me sfida të shumta, andaj do të jetë vështirë të vendosen prioritetet në një situatë kur imponohet agjendë e ngjeshur dhe e rëndë për rikuperimin e ekonomisë. Për më tepër, prioritet patjetër duhet të kenë kompanitë vendore që janë leva apo bartësi kryesor i lëvizjes së ekonomisë sonë shton më tej ai.
“Nëse do të duhej të vendosim prioritetet e qeverisë së re, atëherë pika e parë në rend të ditësh sipas nesh do të ishte rebalanci i buxhetit dhe shkurtimi i harxhimeve të panevojshme dhe joproduktive në llogari të investimeve kapitale. Prioritet i dytë do të ishte nisja e dialogut të hapur me të gjithë faktorët në shoqëri lidhur me strategjinë afatgjate të zhvillim ekonomik të vendit. Pa këtë hap, do të jenë të kota të gjitha masat individuale që eventualisht do ti fillojë qeveria e re. Dhe e treta dhe jo më pak e rëndësishme është ndërmarrja e hapave konkret për kthimin e sundimit të ligjit dhe zbatimit joselektiv të ligjeve. Në veçanti ka rëndësi të kthehet besimi i ekonomisë në institucionet dhe sundimin e së drejtës. Me hapat e tillë në aspektin makroekonomik , edhe punët në nivelin mikro do të fillojnë ngadalë të lëvizin në drejtimin e duhur”,shpjegon Bytyqi disa nga prioritetet e qeverisjes së re.
DERI NË 30 PËR QIND ËSHTË ULUR QARKULLIMI
Afaristët më tej ankohen se pamundësia që të formohet qeveria pesë muaj pas zgjedhjeve, ka shkaktuar bllokadë të institucioneve dhe goditje psikologjike ndaj kompanive , duke zvogëluar vëllimin e punës së tyre. Bytyqi thekson më tej për KOHA se kompanitë anëtare të OEMVP-së, në këtë periudhë të krizës kanë pasur shumë probleme që janë pasqyruar në përkeqësimin e likuiditetit apo disponimit me para të gatshme, anulimin e investimeve dhe marrëveshjeve të mundshme të partneritetit, zgjatjen e kthimit të TVSH-së etj. Madje kompani të caktuara ballafaqohen me ulje të qarkullimit deri në 30 për qind, që dukshëm e ulë likuiditetin e tyre dhe i sjell në situatë që të mos mund me kohë të paguajnë obligimet rrjedhëse si pagesa e rregullt e pagave dhe marrëveshjet e tjera afatshkurtra kontraktuale.
“Në përgjithësi , kriza politike është tejzgjatur dhe kjo është një periudhë mjaft e rëndë për kompanitë. Andaj qeveria e re nevojitet që të punojë seriozisht që të kthejë besimin e biznesit” përfundon Bytyqi. Në ndërkohë , LSDM në programin e saj premton se prioritet do të kenë ndërmarrjet vendore , ndërsa investimet e huaja do të jenë plotësim dhe jo zëvendësim i tyre. Shteti në vjet do të ndajë për nxitjen e kompanive 20 milion euro vetëm në vitin e parë, ndërsa shuma do të arrijë 50 milion euro në fund të mandatit. Këto mjete do të plotësohen me linja të jashtme kreditore, si për shembull nga Banka Investuese evropiane. Njëherazi parashikohet që të themelohet skemë garantuese për kredi investuese me 15 për qind pjesëmarrje vetanake për projekt investues , ndërsa shteti përmes Bankës së Maqedonisë për Zhvillim do të sigurojë 75 për qind të mjeteve, ndërsa 10 për qind do të jenë rrezik i bankës. Parashikohet edhe kredi për mjete qarkulluese, gjegjësisht garanci shtetërore për çdo firmë të vogël dhe të mesme që ka nevojë për kredi afatgjate për mjete qarkulluese prej 30 mijë euro me afat pagese prej një viti. Parashikohet edhe vendosja e linjave kreditore për kompanitë start ap dhe mikro deri në 10 të punësuar në lartësi deri 15 mijë euro. Qeveria në 100 ditët e para të mandatit do të shpallë shumën e përgjithshme të të gjitha borxheve të akumuluara të shtetit, si dhe do të përpilohet plani për pagesën e tyre me afate të qarta. Do të udhëhiqet edhe politikë e pagesës me kohë të borxheve , për shkak se nuk mund të kërkohet disiplinë fiskale nga firmat dhe qytetarët, ndërsa shteti të mos e respektojë të njëjtën .Gjatë ndryshimit të ligjeve do të parashikohen edhe periudha për përshtatjen e kompanive .Tërësisht në formë elektronike do të jepen 50 vërtetime apo dokumente që më së shumti kërkohen. Pritet të ulen shpenzimet për firmat me më pak se pesë të punësuar , me çka do të ulen edhe shpenzimet e punës dhe do të nxiten iniciativat për bizneset personale. Parashikohet edhe lehtësim i punës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në viset rurale përmes financimit të projekteve infrastrukturore. Kompanive që investojnë do t’u jepen parcela shtetërore të pashfrytëzuara. Qeveria do të propozojë edhe heqjen e shpenzimeve gjatë importit të pajisjeve për projektet e reja që angazhojnë fuqi punëtore në komunat jo fort të zhvilluara. Do të mbështetet edhe nisma që në tenderët publik të kenë përparësi kompanitë vendore, ku gjithashtu janë parashikuar edhe më shumë masa për përkrahjen e biznesit vendor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara