Mesdita e fundjavës kur luan Manchester Unitedi është shumë e veçantë për qytetarët e Kristiansundit në Norvegji. Duke u bazuar në atë se rrugët, dyqanet, parqet dhe kafenetë janë të mbushura me njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, kjo nuk ndodh edhe në qytetin e lartpërmendur norvegjez. Aty shihet rrallë ndonjë veturë ose ndonjë njeri duke ecur. Krejt kjo për shkak se norvegjezët kanë punë më të mirë për të bërë – që ta shikojnë Manchester Unitedin e Ole Gunnar Solskjaer. Solskjaer është rritur në qytetin e Krishtiansundit, një qytet me 25 mijë banorë, ku çdokush aty ka lidhje të afërta me trajnerin që po regjistron suksese në Premierligë, shkruan gazeta “Zëri”, përcjell gazeta KOHA.
Pavarësisht se jeton sot në Mançester, Solskjaer nuk e ka harruar qytetin e tij të lindjes dhe se ai ka krijuar lidhje të forta me njerëzit që banojnë aty. Kur ai kthehet në qytetin e tij për vizitë, atëherë ai bëhet njeriu më i dashur nga banorët në Kristiansundit.
Ole Gunnar – kështu siç e thërrasin të gjithë në vendlindje – gjithmonë gjen kohë për bashkëkombësit e tij dhe madje bisedon shumë me njerëzit në rrugë. Njerëzit më të rinj e ndalin atë në rrugë dhe i kërkojnë fotografi e autografi dhe ai kurrë nuk i refuzon ata. Natyrisht është afërsia e tij me njerëzit që ka qenë kyç për suksesin e tij deri më tani. Në këtë qytet ka edhe banorë që janë tifozë të Liverpoolit, të cilët megjithatë i kanë uruar suksese Solskjaer, por jo edhe tituj. Pra 46-vjeçari është pikë krenarie për bashkëkombësit e tij në Kristiansund e më gjerë, të cilët janë të ngazëllyer me sukseset e Solskjaerit në klubin më të trofeshëm në Premierligën angleze duke marrë parasysh edhe sukseset e tij si futbollist më parë në këtë klub.
Si futbollist Solskjaer kaloi 11 sezone me fanellën e Manchester Unitedit, teksa ai kishte shënuar edhe golin e fitores në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 1999. Solskjaer erdhi në postin e trajnerit në Manchester United pas shkarkimit të Jose Mourinhos. Suksesin e tij të menjëhershëm askush nuk e priste dhe kështu ai u emërua vetëm si trajner i përkohshëm. Duke u bazuar në shifrat e tij mbresëlënëse si trajner me Manchester Unitedin, drejtuesit e klubit i ofruan kontratë afatgjate norvegjezit, teksa në verë pritet ta ketë një buxhet të mjaftueshëm për transferimin e futbollistëve të rinj në afatin kalimtar veror. Me Manchester Unitedin si trajner Solskjaer ka regjistruar 15 fitore, dy barazime dhe tri humbje, teksa skuadra e tij nën urdhrat e tij ka shënuar 40 gola dhe ka pësuar vetëm 17 sosh.
Në pasditen e së shtunës Manchester Unitedi e zhvilloi ndeshjen e javës së 31-të në kampionatin elitar anglez kundër Watfordit. Në ndeshjen e zhvilluar në “Teatrin e Ëndrrave”, Manchester Unitedi arriti të fitojë me rezultat të ngushtë, 2:1. Me këtë fitore djelmoshat e trajnerit norvegjez, Solskjaer, renditen në vendin e katërt me 61 pikë të grumbulluara dhe objektivi kryesor i tyre është kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.