Rostushë, 19 korrik – Vendkalimi kufitar Strezimir- Restelicë në kufirin maqedono- kosovar prej nesër deri më 20 gusht do të lëshohet në përdorim për qytetarët e dy vendeve, informojnë nga pushteti lokal i Komunës Mavrovë dhe Rostushë.
Vendkalimi do të jetë i hapur çdo ditë prej orës 08:00 deri në 22:00, ndërsa për kalim do të vlejnë rregullat e njëjta si dhe vendkalimet tjera kufitare, ose dokumente udhëtimi (pasaportë ose letërnjoftim dhe karton të gjelbër për automjet).
“Ky vendkalim kufitar do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit të komunave të dy shteteve si dhe lidhshmërinë reciproke të banorëve nga komunat Mavrovë dhe Rostushë, Qendër Zhupë dhe Dibër me banorët e komunës së Restelicës, Dragashit dhe Prizrenit”, thonë nga komuna.
Me angazhimin e kryetarit të komunës Mavrovë- Rostushë, Medat Kurtovski vendkalimi i cili gjatë kohë nuk funksiononte është hapur vitin e kaluar nga 18 deri 20 gusht. Atëherë nga komuna ishte premtuar se si komunë do të vazhdojnë aktivisht lobimin për funksionimin të vazhdueshëm të këtij vendkalimi.
Përmes këtij vendkalimi i cili gjendet në malin Korab në trekëndëshin mes Maqedonisë- Shqipërisë dhe Kosovës mund të kalonin vetëm banorët e brezit kufitar prej 25 kilometra edhe atë me leje të veçanta.
Ndryshe, në zonën Gora të Kosovës janë të shpërndarë 18 fshatra të populluar me Goranë.