Shkup, 7 nëntor – Deri në vitin 2023 duhet të hapet vendkalimi kufitar “Markova Noga” midis Maqedonisë dhe Greqisë, ndërsa i gjithë projekti, duke i përfshirë edhe të gjitha aktivitetet e nevojshme infrastrukturore, vlerësohet se do të kushtojë 4,6 milionë euro, bëri të ditur sot zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski.
Sipas tij, fillimisht do të saktësohet si do të punojë ky vendkalim kufitar, a do të punojë si të tjerët, por është e sigurt se do të ketë në dispozicion infrastrukturën e nevojshme.
“Mjetet për vendkalimin kufitar do të sigurohen përmes programit dypalësh për bashkëpunim ndërkufitar 2014-2020” informoi Boshnjakovski.
Lidhur me vendimin e Qeverisë për ndryshime në Ligjin për mbrojtje shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve, zëdhënësi paralajmëroi se ata do të miratohen në një afat të shkurtër sa më të mundshëm, në këtë rast duke mos saktësuar nëse bëhet fjalë për disa muaj, një vit, dy apo më shumë.
“Për ndryshimet ligjore do të formohet një ekip i ekspertëve nga MBPEU, AUV, komunat, por edhe organizatat civile joqeveritare, ndërsa qëllimi është që sa më shpejt të gjendet zgjidhje humane, e civilizuar për qentë endacakë”, potencoi Boshnjakovski.