Shkup, 21 shkurt – Ura e këmbësorëve në Bit Pazar nuk mund të shfrytëzohet. Mbeturina, plehra e shiringa ka në të dy anët e saj, prandaj njerëzit ekspozohen në rrezik dhe bulevardin “Kërste Petkov Misirkov” e kalojnë në kalimin për këmbësorë, informon KOHA.
Vendkalimi ilegal në Bit Pazar nëpër të cilin për çdo ditë kalojnë qytetarët, ende nuk është mbyllur. Premtimi i kryetarit të Çairit se ky problem do të zgjidhet, akoma nuk është përmbushur.
Ura është ndërtuar për këmbësorët por ata nuk e shfrytëzojnë. Ata ankohen se ashensori I vendosur nuk ka funksionuar asnjëherë që kur është ndërtuar.
“Unë nuk mund të shkoj në urë sepse nuk jam mirë me shëndet, ndërsa mos të flas për më të moshuarit, ata nuk mund të ngjiten në urë”, thotë një kalimtar.
Kreu i Shkupit, Petre Shilegov ditë më parë deklaroi se qytetarët nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit, por nuk premtoi mbyllje të këtij kalimi në të zezë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht në këtë vend, autobusi përplasi për vdekje një grua të moshuar. (koha)