Një gjykatë e OKB-së lidh ish-zyrtarët serbë me milicitë që vranë civilë në luftërat ballkanike të viteve 1990. Ky është një mësim për luftën në Ukrainë.
Një taktikë mashtruese në konfliktet moderne – përdorimi i fshehtë qeverive të milicive përfaqësuese të stilit Rambo për të dëmtuar civilët dhe për të shmangur përgjegjësinë – sapo mori një pengesë të madhe. Një gjykatë e Kombeve të Bashkuara në Hagë lëshoi një vendim përfundimtar javën e kaluar duke konfirmuar se dy ish-zyrtarë të sigurisë në Serbi ndihmuan në ngritjen e ekipeve luftarake “speciale” në vitet 1990 që vranë mijëra joserbë gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.
Vendimi – i cili mori 20 vjet procedura ligjore – “nuk lë asnjë dyshim për përfshirjen e policisë dhe shërbimeve të sigurisë së Serbisë në mizoritë e kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, gjë që autoritetet serbe vazhdojnë ta mohojnë edhe sot e kësaj dite”, erdhi në përfundim “Amnesty International”. Dy ish-zyrtarët, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, u dënuan me 15 vjet nga gjykata, e njohur si Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Gjykatat Penale.
Vendimi krijon një precedent të mirëpritur për gjetjen e së vërtetës për mizoritë e kryera nga të ashtuquajturat grupe të tjera paraushtarake në konfliktet nga Ukraina në Sudan dhe në Siri. Mund të ndihmojë gjithashtu në dhënien fund mohimit nga ana e shumë serbëve për krimet e luftës të kryera nga grupe të mbështetura nga qeveria si “Tigrat” e Arkanit dhe “Skorpionat” gjatë luftërave në Ballkan.
“Pa të vërtetën nuk ka asgjë dhe secila gënjeshtër provokon një gënjeshtër tjetër”, tha për Balkan Insight Goran Zadro, një kroat që i mbijetoi një sulmi në vitin 1993 nga forcat serbe. “Këtu, çdo komunitet ka të vërtetën e vet”.
Edhe pse aktgjykimi ishte i gjatë, ndjekja ndërkombëtare e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi ka dhënë një mësim për Ukrainën. Menjëherë pas pushtimit rus në shkurt 2022, zyrtarët ukrainas filluan të hetojnë vrasjen e civilëve nga ushtria ruse dhe forca mercenare e njohur si Grupi “Wagner”. Provat e mbledhura deri më tani – edhe pse lufta vazhdon – mund të jenë të dobishme më vonë në lidhjen e zyrtarëve të Kremlinit me mbështetjen e supozuar të milicive që kryejnë krime lufte.
Vendimi i 31 majit në gjykatën në Hagë ishte një hap i madh për vendosjen e së vërtetës dhe adresimin e mosndëshkimit, tha Volker Türk, komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut. Ai ekspozoi taktikën e një qeverie që mbështet një grup të armatosur për të bërë “punën e pistë” të vrasjes së civilëve të pafajshëm dhe shkeljen e normave ndërkombëtare të sjelljes në luftë. Ai gjithashtu dha një shembull parësor, shkruan gazetarja Marija Ristic në Balkan Insight, “se si drejtësia për krimet e grupeve paraushtarake të sponsorizuara nga shteti është një qëllim i arritshëm”./Christian Science Monitor/