Shkup, 16 maj Kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski konsideron se vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me paraburgimin e biznesmenit Sead Koçan është i drejtë dhe ekzekutiv dhe duhet të respektohet. “Me aktvendimin ne nuk e pezulluam paraburgimin, por vendosëm për kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë kundër vendimit me të cilin është përcaktuar paraburgimi. Ne vetëm e vlerësuam ligjshmërinë e vendimit të gjykatave më të ulëta dhe gjetëm se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e dorëzuar nga Prokurori publik republikan është e bazuar dhe në bazë të saj sollëm aktvendim, për shkak se ka pasur shkelje të ligjeve”, tha Vangellovski në takimin e sotëm me gazetarët dhe shtoi se nuk është kundër që të bëhen analiza të aktvendimit. Ai theksoi se me aktvendimin Gjykata Supreme nuk e ka liruar Koçanin nga paraburgimi, por vetëm e ka pezulluar vendimin e Këshillit penal të Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe të Gjykatës së Apelit. “Bëhet fjalë për interpretim të gabueshëm të Këshillit penal të Gjykatës Themelore Shkupi 1 se në rast të këtillë ankesa nuk e anulon ekzekutimin dhe madje i referohet nenit 169 nga Ligji për procedurë penale. Në këtë nen saktë janë paraparë të gjithë rastet për të cilët ankesa përcakton paraburgim në bazë të ankesës së prokurorit i njëjti ky nen 169 nuk ka dispozitë se ankesa nuk e anulon ekzekutimi. Meqë nuk ka dispozitë të tillë zbatohet dispozita e përgjithshme, ndërsa ai është neni 442 nga Ligji për procedurë penale ku qëndron se në procedurë penale ankesa e anulon ekzekutimin, përveç në rastet ku qartë nuk është theksuar se nuk e anulon. Në këtë rast qartë nuk është theksuar një gjë e tillë, si pasojë e kësaj ankesa e anulon ekzekutimin. Ka edhe një dispozitë të përgjithshme se çdoherë kur interpretohet zbatimi i ligjit do të interpretohet në dobi të të akuzuarit në çdo rast kur ekziston paqartësi për interpretim, por në këtë rast nuk ka nevojë për interpretim të tillë, për shkak se ka dispozitë ligjore shumë të qartë dhe me të drejtë prokurori republikan e ka dorëzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Unë dhe anëtarët e Këshillit qëndrojmë pas aktvendimit të cilin e miratuam dhe ai duhet të respektohet”, potencoi Vangellovski dhe shtoi se me pezullimin e dy vendimeve nga ana e Gjykatës Supreme procedura është kthyer në fazë të vendimit të Këshillit penal. Për kontestimin e PTHP-së lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të dorëzuar nga Prokurori publik republikan, Vangellovski tha se asnjëherë nuk ka qenë kontestuese kjo kompetencë, por kompetencë e Prokurorit special publik të dorëzojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. “Asnjëherë nuk kemi pasur kurrfarë dileme se prokurori publik republikan është kompetent të dorëzojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe nuk kemi dilemë se dorëzimi i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë deri te Gjykata Supreme në punën e prokurorit special ose prishje të autonomisë së tij. Prokurori special publik e ka kompetencën e saj që t’i ndjekë kryerësit e disa veprave penale, në atë askush nuk e pengon, as ky aktvendim nuk do të thotë se ka qenë në drejtim të pengimit që ta ndjekë kryerësin e veprës penale të cilën e ndjek”, tha Vangellovski. Potencoi se PTHP nuk ka kurrfarë ingerenca që të tërheq kërkesë të huaj për shkak se nuk është palë në këtë procedurë, ndërsa mund të dorëzojë personale, siç tanimë e ka dorëzuar. Këshilli penal, siç tha, tanimë ka marrë vendim me të cilin e ka nënçmuar ankesën e PTHP-së dhe lënda i është kthyer gjykatësit të procedurës paraprake. Për bisedimet e përgjuara ilegale Vangellovski konsideron se nuk mund të shfrytëzohen si dëshmi, por vetëm si indikacion për ekzistim të veprës penale. “Punë e PTHP-së është që t’i analizojë bisedat dhe të sigurojë dëshmi konkrete që më vonë mund t’i akuzojë personat e përgjuar për vepër penale”, tha Vangellovski. Ai Theksoi se së shpejti do ta thirrin gjykatësen Mirjana Lazarova Trajkovska në seancë për konfirmim se nëse incizimet audio-vizuale mund të përdoren si dëshmi.