Shkup, 22 dhjetor – Vendimin për ekstradimin e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit, Gjykata e Selanikut do ta shpallë më 5 janar të vitit 2018, konfirmoi për MIA-n avokati i tyre Petar Vasilev.
Vendimi duhej të kumtohet sot, por për shkak të pamundësisë për t’u siguruar përkthyes në gjuhën maqedonase, në çka insistuan avokatët e të akuzuarve, ai është shtyrë për më 5 janar.
Në seancat e kaluara gjyqësore si dëshmitarë janë marrë në pyetje Vasilev dhe Aleksandar Dashtevski.
Vasilev theksoi se nëse Gjykata vendosi pozitivisht në kërkesën për ekstradimin, si mbrojtje kanë të drejtë të ankesës deri te Gjykata Supreme në Athinë, në afat prej 24 orëve.
Prokurori grek në këtë rast kërkoi të miratohet ekstradimi në Maqedoni i dy ish-shefave në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim.
Mbrojtja e Grujevskit dhe Boshkovskit ka pohuar se nuk bëhet fjalë për akuza të vërteta. Edhe të dy para Gjykatës kanë thënë se nuk duan të ekstradohen në Maqedoni sepse kanë druajtje për jetët e tyre dhe nuk do të ketë gjykim korrekt. Gjithashtu, i ka mohuar akuzat për të cilat ngarkohet dhe i kanë vlerësuar si “ndjekje politike”.
Përveç për ekstradim, Grujevski dhe Boshkovski kanë edhe dy procese të tjera në Greqi, të pavarura nga njëri-tjetri. Njëri është për falsifikim të pasaportave me të cilat janë kapur në aeroportin e Selanikit. Gjykimi pas tre shtyrjeve do të mbahet më 17 maj të vitit të ardhshëm. Rasti tjetër është pas kërkesës së parashtruar për azil më 29 nëntor.
Grujevski dhe Boshkovski ndërkohë mbesin në paraburgim në afërsi të Selanikut.
Grujevski dhe Boshkovski, të cilët janë në mesin e të akuzuarve të PSP-së për lëndën “Fortesa dhe Target”, për të cilën sot duhet të fillojë gjykimi në Gjykatën Penale në Shkup, janë arrestuar nga policia greke në aeroportin në Selanik më 18 tetor të këtij viti, gjatë tentimit me pasaporta të rrejshme bullgare të shkojnë me aeroplan për në Budapest.