Zakonisht autobusët me vizitorë ndalojnë në rrugën kryesore por kjo më pas krijon vështirësi në komunikacion edhe për shkakun se është një nga rrugët më të frekuentuara në qytet. Nga komuna e Tetovës thonë se janë në shqyrtim e sipër që të gjejnë vend adekuat pikërisht për këtë qëllim
Urim HASIPI
Tetovë, 22 prill – Rreth 30 mijë vizitorë nga jashtë brenda vitit vijnë për të parë Xhaminë e Pashës në Tetovës. Është ky një nga monumentet e vetme fetare dhe historike që ka kaq shumë vizitorë në rajonin e Tetovës dhe më gjerë. Kryesisht vizitorët vijnë përmes agjencive të ndryshme, ndërsa problem paraqet parkimi i autobusëve të cilët sjellin vizitorët. Autobusët me vizitorë duhet që të ndalojnë në rrugën kryesore respektivisht në bulevardin e Ilindenit dhe kjo shpesh herë shkakton edhe kaos në komunikacion sepse vend tjetër për parkim nuk ka përreth Xhamisë së Pashës. Sipas këshillit të Xhamisë së Pashës, kjo është një pengesë e madhe për të gjitha ato automjete që sjellin vizitorë.
“Të themi të drejtën disa herë kemi kërkuar nga kompetentët e komunës që të na sigurohet ndonjë parkim për autobusët turistik dhe shpresojmë se me planin e ri urbanistik do ta shohin të arsyeshme që të parashohin edhe ndonjë parkim për këtë qëllim të paktën dy vende për autobus të parashihen do të ishte mirë, sepse Xhamia e Pashës është një nga vendet më të vizituara në Maqedoni, përafërsisht 20 mijë deri në 30 mijë e vizitorë vijnë dhe të mos kenë ku të parkohen nuk është në rregull”, thotë kryetar i këshillit të Xhamisë së Pashës Mensur Miftari.
Në pjesën ku ndodhet Xhamia e Pashës, në të dy anët e bulevardit “Ilinden”, mungon vendi i caktuar për parkim të autobusëve që si destinacion kanë këtë vend historik. Po ashtu edhe rruga tjetër që çon për tek Gjimnazi i Tetovës nuk ka të paraparë vend për parkim, ndërkohë që në këtë pjesë edhe nuk do të mund të ketë një vend të caktuar për shkak se rruga është shumë e frekuentuar dhe e ngushtë. Zakonisht autobusët me vizitorë ndalojnë në rrugën kryesore por kjo më pas krijon vështirësi në komunikacion edhe për shkakun se është një nga rrugët më të frekuentuara në qytet. Nga komuna e Tetovës thonë se janë në shqyrtime sipër që të gjejnë vend adekuat pikërisht për këtë qëllim. Sipas strukturave udhëheqëse të kësaj xhamie, të cilët referohen në të dhënat e agjencive turistike, Xhamia e Pashës është një nga vendet më të vizituara në Maqedoni.
“Kjo xhami vizitohet jo vetëm nga vizitorë të brendshëm, por edhe nga jashtë mundohemi si këshill i xhamisë që vizitorëve t`ju japim shërbime më të mira sepse kalojnë me mijëra kilometra të vijnë për të vizituar këtë monument. Në ekipin tonë të xhamisë kemi persona të angazhuar që dinë gjuhë të huaja ku u jepen të dhëna për xhaminë. Më tepër kemi vizitorë nga Turqia, pastaj Gjermania, Polonia, kemi turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një ndër monumentet më të vizituara në Maqedoni dhe më i bukur jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Shumë vizitorë kur vijnë pastaj u rekomandojnë edhe të tjerëve që të vijnë”, tha Mensur Miftari kryetar i këshillit të Xhamisë së Pashës në Tetovë.
Nga Muftinia e Tetovës thonë se për dallim nga vendet tjera, në Xhaminë e Pashës hyrja është gratis dhe nuk paguhet, ndërsa vetë vizitorët nëse dëshirojnë mund të dhurojnë në fondin e xhamisë. Xhamia është ndërtuar më 1495 kurse e rindërtuar nga themeli dhe e zgjeruar më 1833 nga ana e Abdurrahman Pashës, biri i Rexhep Pashës, që janë mbrojtësit e Tetovës, të cilët kanë qenë edhe dashamirë të mëdhenj të artit.
Xhamia e pashës, me të gjitha karakteristikat e veta paraqet një ndërtesë interesante, është e rrethuar me mure të trasha guri me vrima druri të mbuluara me tjegulla, siç është edhe çatia e xhamisë. Muret rrethuese të cilët janë ndërtuar në stilin tipik klasik osman, janë rindërtuar me iniciativën e Bashkësisë Islame në vitin 1991. Xhamia e Pashës në Tetovë, e cila në popull njihet edhe si Xhamia e larme, gjendet pranë lumit Shkumbin në pjesën e vjetër te qytetit, ku gjenden edhe objektet e tjera të arkitekturës fetare islame, të rëndësishme për vlerat artistike dhe për kontestin historik që mbajnë. Nga këshilli i Xhamisë së Pashës apelojnë që institucionet sa më shumë t`i kushtojnë rëndësi infrastrukturës përreth Xhamisë me qëllim që ky vend të vazhdojë të jetë një ndër vendet më të vizituara në shtet. (koha.mk)