Delvina KËRLUKU
Nëse një punëtor largohet nga puna në ndonjë kompani a institucion dikund në botë, kjo nuk paraqet ndonjë shqetësim të madh, për arsye se mund të ndodhë që mos ti përmbush kriteret e parapara, nuk zbaton kodin etik, e shumë shkaqe të tjera, në bazë të parametrave dhe specifikës së vendit të punës.
Por, që të largohet një shqiptar i Maqedonisë nga vendi i punës, për bën një shqetësim të madh dhe fsheh një të vërtetë të hidhur. E vërteta u zbulua pas luftës së 2001-shit, kur edhe na erdh liria dhe demokracia, por disi e cunguar. Megjithatë, një demokraci u duk në sipërfaqe, për të vetmen arsye se spektri i mendimit dhe veprimit politik u begatua dhe u krijuan shanse për një konkurrencë parlamentare dhe jashtëparlamentare. Nëse para 2001-shit shqiptarët politikisht identifikoheshin vetëm me PPD-në dhe PDSH-në, tani ndryshuan rrethanat dhe nga status-quoja e veprimit politik u kalua në trajta të triumfit politik. Për shumë analistë dalja në pah e një partie të re nënkuptonte triumf, aq më tepër ku partitë pararendëse me platformat e tyre, ose në bashkëveprim me partitë maqedonase, nuk përmbushnin kriteret e përfaqësimit dinjitoz të interesave shqiptare.
Por jo pak analistë janë shprehur se themelimi i partive të reja nënkupton edhe shkërmoqjen e indit politik të shqiptarëve dhe për pasojë, edhe përçarjene tyre. Ky mendim, pas shtatëmbëdhjetë viteve ka kuptim. Çarjet e shqiptarëve janë evidente, në çdo aspekt, kurse kjo po ec në një heshtje të çuditshme. Dhe askush nuk shqetësohet për këtë situatë, e cila do të duhej të jetë e rëndësishme për të patur një shoqëri të shëndoshë. Mosmarrëveshjet zanafillën e kanë në renditjen e partisë. Se në cilën parti do të duhet të jetë një i papunësuar, ai bën kalkulimet vet. Thua, e ka këtë liri të zgjedhjes!? Për të vetmin hap, që të gjej punësim. Dhe kur kjo ndodh, do të duhet të jetë ushtar i partisë. Në të kundërtën, lind pyetja, ku të gjejë rrugëzgjidhjen, kur Agjencia për Punësim është shndërruar në seli partie. Kur do ti tregonim një evropiani se si funksionon Agjencia ose vetë shteti, do të habitej. Na ka rastisur të gjithëve që të udhëtojmë jashtë shteti dhe jemi ballafaquar me një gjerman, anglez, francez, italian, suedez, etj. dhe të gjithë këta shprehin admirim për shkathtësitë tona, që e kemi kurorëzuar me diplomim, por absurdi qëndron tek dilema nëse me gjithë këtë zotësi, nuk arrijmë që të gjejmë punë, pa ndërhyrjen e politikës.
Në shtetin tonë kemi ambasadorë nga shumë vende të botës dhe pyes nëse ata e kanë kuptuar zotësinë e një të diplomuari dhe paaftësinë e tij ose humb partia jote dhe mbetesh pa punë?! Një pjesë e konsiderueshme e rinisë kanë vetëm një objektiv: sigurimin e një të nesërmeje më të mirë diku në ndonjë shtet Perëndimor. Ata që nuk arrijnë të kapin këtë ëndërr, bëhen rriqër e politikës ose partia i ri varur atij mbi kokë si shpata e Demokleut.
Por, ata që janë larguar me atë “paaftësi” të gjetjes së punës, meqë politika vë barrierë në vendin e tij, ia kanë dal mbanë andej nga kanë shkuar nëpër botë. Por, çfarë të bëhet vallë me ata të cilët kanë dhënë njëzet vjet mund e djersë, në vendin e punës, në Maqedoni e largohen nga puna? Rasti më i freskët është largimi i shqiptarëve të punësuar në Aeroportin e Shkupit. Ministria e Punëve të Brendshme, ku zëvendësministri është shqiptar, ka dhënë urdhër për largimin e tyre, për të vetmin fakt se nuk kanë certifikatën e sigurisë. Si është e mundur që dy dekada të veprojë punëtori e tani u është kujtuar të kërkojnë certifikatë. Tani shtrohet pyetja: Ja që mediat e informuan zëvendësministrin, i cili paska qenë i painformuar, cili do të jetë hapi i tij?
Aeroporti paraqet vend-takimet dhe vend-ndarjet e shumta dhe zakonisht janë shqiptarët me shumicë që e përdorin këtë portë për të hyrë dhe dalë. Dhe është e natyrshme që shumica e pasagjerëve shqiptarë të kërkojnë shërbime në gjuhën shqipe,punë kjo që është bërë me shumë përkushtim. Kur një nënë shqiptare ndodhet në tollovinë dhe rrëmujën e aeroportit, të vetmit persona që iu dalin atyre në ndihmë janë të punësuarit shqiptar në Aeroportin e Shkupit. Madje edhe për ne që dijmë ndonjë gjuhë të huaj, më lehtë e më këndshëm është të flasim në gjuhën tonë, shqipe, por përgjegjësia është shumë e madhe e atyre që po i refuzojnë të punësuarit shqiptarë të jenë pjesë e këtij aeroporti. Një politikë e tillë është papranueshme, sidomos në një ekonomi tregu ku gjuha e punës ka epërsi mbi çdo burokraci. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë postulat drejtuesit e Aeroportit të Shkupit, do të jetë më lehtë për ta lexuar rëndësinë që kanë shqiptarët, edhe pasagjerët edhe të punësuarit, në qëndrueshmërinë financiare të këtij aeroporti.