Nga Komuna e Tetovës kanë theksuar se në të ardhmen nuk përjashtojnë mundësinë se mund të ketë ndonjë zgjidhje tjetër, por pa precizuar se çka, megjithatë për momentin nuk kanë në plan të bëjnë diçka
Urim HASIPI
Tetovë, 19 maj – Dikur në këtë vend kishte me tonelata mbeturina që u cilësua si bombë ekologjike për ambientin jetësor dhe shëndetin e qytetarëve. Bëhet fjalë për vendin afër hekurudhës në dalje të Tetovë për në Shkup. Tërë mbeturinat e Tetovës hidheshin në këtë vend, dhe pas shumë reagimeve të shoqërisë civile, sot në këtë vend ka vetëm gjelbërim. Ndonëse tërë vendi pas pastrimit nuk i ka takuar Komunës së Tetovës, sepse një pjesë tani më është pronë private pasi që i është kthyer pronarit përmes procesit të denacionalizimit, sot në këtë vend mund të vërehet vetëm një gjelbërim, por që nuk mirëmbahet. Pas pastrimit të “bombës ekologjike”, kishte premtime se ky vend mund t shndërrohet në park, megjithatë ka mbetur vetëm një pjesë e gjelbëruar. Krahas kësaj, në këtë pjesë e cila është në menaxhim të Komunës së Tetovës, janë vërejtur qytetarë të cilët kanë vendosur tenda të improvizuara. Momentalisht në këtë hapësirë ka vetëm gjelbërim, duke patur parasysh situatën në të cilën ishte ky vend, menaxhmenti i Komunës së Tetovës për momentin nuk ka në plan të bëjë ndonjë veprim konkret në atë pjesë të Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me atë se çfarë kanë në plan të bëjnë, por vetëm kanë bërë të ditur se tashmë ai vend është vetëm me gjelbërim. “Pas pastrimit të mbeturinave jemi munduar ta konsiderojmë si vend me gjelbërim dhe ndonjë veprim konkret nuk kemi ndërmarrë. Kujdesemi që të shtojmë sa më shumë hapësira të gjelbra në qytet, dhe kjo është një prej tyre, duke patur parasysh se ka qenë në gjendje të rëndë kur Tetova përballej me problemin e grumbullimit të mbeturinave para disa viteve”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Në ndërkohë, lidhur me banorët që kanë vendosur tenda të improvizuara në atë vend, thonë se do të nxjerrin në terren inspektoratin për të konstatuar gjendjen faktike. “Do të nxjerrim inspektoratin për të parë se si qëndron gjendja me problemin në fjalë. Duhet që të kemi kujdes sepse një pjesë është pronë private që është kthyer përmes procesit të denacionalizimit, andaj do të shohim se ku janë vendosur banorët”, pohojnë nga Komuna e Tetovës.
Pjesa në dalje të Tetovës para disa viteve kishte marrë pamje të tmerrshme pasi që tërë hapësira ishte me mbeturina të cilat grumbulloheshin dhe nuk mund të transportoheshin për në deponinë Rusino dhe Drislla. Pas shumë reagimeve dhe protestave të njëpasnjëshme të shoqërisë civile, Komuna e Tetovës arriti që të pastrojë mbeturinat nga ai vend, por sot e kësaj dite ky vend ka mbetur i braktisur pa ndonjë rregullim të mirëfilltë. Pikërisht në atë kohë kishte premtime se ky vend do të ketë pamje tjetër, ku pritej të rregullohet një park për t`i shtuar hapësirat e gjelbra qytetit të Tetovës, të cilat i mungojnë shumë kohëve të fundit. Nga Komuna e Tetovës kanë theksuar se në të ardhmen nuk përjashtojnë mundësinë se mund të ketë ndonjë zgjidhje tjetër, por pa precizuar se çka, megjithatë për momentin nuk kanë në plan të bëjnë diçka. (koha.mk)