Zejnulla VESELI
Shkup, 5 tetor – Të dhënat e fundit të publikuara nga Forumi Ekonomik Botërore (FEB) ka botuar listën ë shteteve ku mund të bësh biznes të mirë, shkruan gazeta KOHA. Në listën prej 137 shteteve, Maqedonia nuk është në këtë listë përkundër faktit se ekzistojnë pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor si Bullgaria e radhitur në vendin e 49, Romania 69, Kroacia 74, Shqipëria 75, Mali i Zi në vendin e77, Serbia është radhitur e 78, Greqia 87 dhe Bosnja e Hercegovina në vendin e 103. Zvicra mban vendin e parë si shtet ku mund të bëhet biznes i mirë, ndërsa në vendin e parafundit dhe të fundit janë radhitur Mozambiku dhe Jemeni. Mungesa e Maqedonisë në listën e Forumit Botëror Ekonomik si shtet ku mund të bëhet biznes i mirë, lë hapësirë për të dyshuar se të dhënat e grupaciont të Bankës Botërore “Duing Biznis”, të cilat për çdo vit i bënte publike para opinionit Qeveria e mëparshme, e ku thoshte se Maqedonia radhitet në mesin e 10 shteteve ku mund të bëhet biznes i mirë. Miroljub Shukarov, profesor universitar, vlerëson se raporti i FEB-it i publikuar ditë më parë e ku Maqedonia aspak nuk është në mesin e 173 shteteve ku mund të bëhet biznes i mirë, edhe njëherë e vërteton se të dhënat e “Duing Biznis” gjithmonë – ne ekonomistët i kemi pranuar me rezervë. “Nuk mund të them se cilat janë arsyet që FEB nuk e ka futur Maqedoninë në listën e 137 shteteve ku mund të bëhet biznes i mirë. Ndërkaq vite me radhë, Qeveria e mëparshme gjithherë lavdërohej se me reformat që po zhvillon, ka bërë që Maqedonia të radhitet në mesin e 10 shteteve në botë për bërje të biznesit sipas raporteve të ‘Duing Biznis’. Me fjalë tjera, kjo do të thotë se Qeveria e mëparshme nuk paska bërë asgjë vetëm se është lavdëruar se jemi shtet vetëm në letër ku mund të bëhet biznes i mirë, ndërsa në praktik nuk ka ndodhur asgjë konkrete”, thotë Shukarov. Profesori i ekonomisë në universitetit e Evropës juglindore, Nasir Selimi, mendon se të dhënat e FEB, ku aspak nuk e ka vendosur Maqedoninë në mesin e 173 shteteve në botë, tregon se ky institucion me renome botërore sigurisht që ka përdorur metodë tjetër të llogaritjes së parametrave ekonomik të një shteti e që është ndryshe nga metodologjia që përdor grupacioni i Bankës Botërore “Duing Biznis”. “Çdo herë kur Qeveria dilte më të dhënat se Maqedonia në ‘Duing Biznis’ radhitet në mesin e dhjetë shteteve të botës, si vend ku mund të bësh biznes të mirë, gjithsecili këto të dhëna i merrnin me shumë rezerva për shkak se Maqedonia vite me radhë ballafaqohej me krizë ekonomike, papunësi e madhe dhe rritje të vazhdueshme të varfërisë. Tani kur FEB publikon listën e shteteve ku mund të bësh biznes të mirë e që Maqedonia aspak nuk figuron në këtë listë, edhe më shumë rrit dyshimet se të dhënat e Qeverisë së mëparshme se Maqedonia është vendi ku bëhet biznes i mirë bile edhe më mirë se Japonia aspak nuk kanë qenë të dhëna të vërtetuara, sepse sikur të ishin ashtu siç thoshte Qeveria, sot do të kishim numër shumë të madh të investitorëve siç po ndodhë në vazhdimësi në vendet e rajonit”, thotë Nasir Selimi, ekspertë ekonomik. (koha.mk)