Beograd, 20 maj – Pasi Këshilli i ministrave të BeH-së para ca kohësh e miratoi shitjen e përbashkët të objektit të Ambasadës së ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë në ish-kryeqytetin e Gjermanisë Perëndimore, Bon për 3,75 milionë euro, pritet kjo vilë reprezentative së shpejti të shitet, ndërsa vendet në mesin e së cilave edhe Maqedonia e Veriut, t’i ndajnë paratë sipas përqindjeve të cilat janë përcaktuar me Marrëveshjen për sukcesion.
Me Aneksin B të Marrëveshjes për sukcesion të IRSFJ është definuar se prej 123 përfaqësive diplomatike të ish-Jugosllavisë, Bosnjë e Hercegovinës i takojnë 15 për qind, Kroacisë 23,5, Maqedonisë së Veriut tetë, Sllovenisë 14 dhe Serbisë dhe Malit të Zi të cilat atëherë e kanë përbërë Republikën Socialiste Jugosllave, – 39,5 për qind.
Asnjë prej trashëgimtareve nuk ishte e interesuar për katër ambasada, gjegjësisht rezidenca të ish RSFJ edhe atë në Nju-Jork, Tokio, Bon dhe Bern.
Vitin e kaluar, pas negociatave të mundshme të shteteve trashëguese, u shit rezidenca e RSFJ-së në Nju-Jork. Bëhet fjalë për “apartamentin e Titos” në Avenynë e Pestë në Menheten, për çka blerësi i pagoi 12,1 milionë dollarë. Ky ishte rasti i parë i tillë i zbatimit të Aneksit B të Marrëveshjes për çështjet e sukcesionit dhe është rezultat i angazhimeve të mëdha të të gjitha trashëgimtareve shtetërore në dy vitet e fundit.
Në fillim të këtij viti u shit edhe ish-ambasada dhe rezidencat e RSFJ-së në Tokio, ndërsa paratë e llogarive të shteteve – trashëguese duhet të mbërrijnë këtë muaj. Marrëveshja për shitje në shumë të përgjithshme prej 14,7 milionë euro u nënshkrua më 31 janar. Prona në Tokio i pati 1.726 metra katrorë sipërfaqe banesore dhe 938 metra katrorë tokë.
Pas shitjes së objektit në Bon për 3,75 milionë eurot e përcaktuara, mbetet e njëjta të bëhet edhe me ambasadën e ish RSFJ në Bern. Thuhet se për të interesim ka shprehur Rusia, e cila akoma nuk ka dhënë ofertë zyrtare.
Në Nju-Jork mbetet të shitet edhe objekti i Misionit të përhershëm të ish-RSFJ-së në KB.