Çështja nuk qëndron te figura e Janullatosit si grek, e as te kanoneve që e kanë sjellë atë në krye të KOASH-it, por te injoranca e një numri jo të paktë besimtarësh ortodoksë shqiptarë, të cilët e shohin si krejt normale kthimin e greqishtes në liturgjitë kishtare në vend të gjuhës së tyre amtare!
Nga Daut DAUTI
Debatet për çështjet fetare ndonjëherë dinë të jenë shterpe kur pjesëtarë të njërës përpiqen t’ua ia imponojnë të vërtetat pjesëtarëve të fesë tjetër. Sidomos këto debate janë problematike në kuadër të një kombi shumëfetar. Mirëpo, ka disa fenomene për të cilat nuk mund të jemi indiferentë, sepse ato i tejkalojnë kornizat fetare dhe cenojnë qenien kombëtare, ndaj dhe heshtja për to nuk është përherë urtësi.
NDËRTHURJE PËRVOJASH TË ORTODOKSISË MAQEDONASE DHE SHQIPTARE
Një nga ato çështje për të cilat poashtu nuk ia vlen të debatosh janë çështjet kanonike: katolikët kanë qendër Vatikanin, ortodoksia Patrikanën e Stambollit. Do të ishte mirë edhe myslimanët të kishin një qendër(Kalifatin), por, ja, nuk e kanë. Në kuadër të rregullave kanonike për të cilat nuk duhet të përziheshim ne të besimeve tjera, janë raportet në kuadër të strukturës organizative, që më shumë se te cilado fe tjetër, vjen në shprehje te ortodoksia. Ne jemi marrë shumë me ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Greke në Kishën Autoqefale Shqiptare përmes vënies në krye të kësaj të dytës të një peshkopi grek(dikush thotë se mund të jetë më origjinë shqiptare?!). Në shikim të parë vërtet s’ka ç’ka të përzihemi, sepse, në raste kur kemi pavarësim të ndonjë kishe nacionale, ajo vihet nën përkujdesje të një kishe tjetër(raporti kisha mëmë – kisha bijë) derisa kisha mëmë nuk vlerëson se “bija” është e zonja të veprojë e pavarur. Ripërtërirja e Kishës Autoqefale Shqiptare e eci po atë rrugë që qendra ia caktoi edhe Kishës Ortodokse Maqedonase, dhe një mori kishash të tjera që u pavarësuan me pavarësimin e shteteve të tyre. Në krye të saj caktoi një peshkop që mendonte se do ta kryente me sukses atë detyrë. Deri këtu çështja është kishtare, kanonike, por, gjërat dalin jashtë këtyre kornizave për shkak të konteksteve të tjera. Në krye me një Janullatos grek të i pranuar me shumë dyshim që në fillim, përtëritja e KOASH-it do të jetë jo vetëm e paragjykuar por dhe me shumë dyshime për prapavija të tjera.
Është me interes të bëhet një paralele midis Autoqefalisë së kishave ne Maqedoni dhe Shqipëri. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë që e kishte krijuar i madhi Fan Noli pati një boshllëk kohor. Në kohën e regjimit komunist ajo qe ndaluar, si rrjedhojë e një ligji të pamend për ndalimin e predikimit fetar, si askund tjetër në botë. Ndërkohë që pikërisht në kohën e regjimit komunist, Kisha Ortodokse Maqedonse(KOM-i) kishte përjetuar lulëzimin e saj më të madh në kuadër të një shteti të ri(republikë) në bashkësinë e republikave jugosllave. Mirëpo, ndarja nga ai shtet i përbashkët, e ktheu prapa procesin e Autoqefalisë së kishës maqedonase, sepse qe e detyruar të vehet nën përkujdesje të kishës mëmë, asaj të Serbisë. Një karakteristikë tjetër e kishave ortodokse është se ato mbajnë prefiksin nacional, duke u bërë jo vetëm de jure, por dhe fakto faktor identifikimi dhe shtyllë identitare. Mirëpo, këtu kishte një përplasje midis dy kishave fqinje me pozita të ndryshme. Për të tejkaluar varësinë, Kisha Ortodokse Maqedonase me Kishën Ortodokse Serbe(KOS-i) arritën një marrëveshje obligative, që quhet Marrëveshja e Nishit, e cila shumë shpejt u braktis. KOM-i hoqi dorë prej saj pothuajse njëanshëm pas një presioni medial dhe pakënaqësie të brendshme, ndërkohë që KOS në krye të KOM-it vuri një peshkop të përshtatshëm(“rasti Jovan Vranishkovski”) …Pastaj është histori: KOM-i o vetëm që nuk e pranoi atë në krye të saj, por ndërkohë që u kyç në lojë edhe shteti duke përndjekur “përçarësin” Vranishkovski, me pretekste të ndryshme, duke i ngarkuar kështu edhe më shumë marrëdhëniet midis dy kishave që kanë zgjatur pothuajse dy dekada. Ndërkohë, që të dilet nga kjo situatë, KOM-i kërkoi që të zëvendësohet “mëma” e saj, dhe iu drejtua Kishës Ortodokse Bullgare ta marrë nën sqetullat e veta për t’ia lehtësuar rrugën e Autoqefalisë. Kjo, në dritën e një marrëveshje ndërshtetërore për normalizim marrëdhëniesh. Rastësi ose jo, politika dhe feja, prapë dorë për dore?
Lidhur me këtë rast, mbaj mend se Komiteti i Helsinkit i Maqedonisë shpesh e trajtonte këtë çështje, duke u vënë në anën e Jovan Vranishkovskit për të drejtën e veprimit të lirë të kishës së tij. Pavarësisht se në këtë kontekst mund të isha pro, si anëtar i këtij komiteti, isha distancuar në mbledhjet e bordit, duke thënë se këtë përçarje dhe këtë ndërhyrje të KOS-it në punët e brendshme të KOM-it nuk duhet ta shikojmë vetëm si çështje fetare, por dhe motivet dhe prapavija politike. Atëherë dhe tash jam i bindur se veprimi i KOS-it nuk ishte vetëm fetar…
Kjo histori vetëm deri diku është analoge me atë të Janullatosit në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare, sepse efektet e të dy rasteve nuk janë të njëjta. Pavarësisht se sot një numër jo i vogël besimtarësh ortodoksë shqiptarë vlerësojnë lartë “kontributin” e tij në konsolidimin e kishës së tyre, në publik kanë dalë plot argumente që e problematizojnë figurën dhe misionin e tij. Përskaj nderimeve e mirënjohjeve(Ilir Meta i jep shtetësinë, kryetari grek e dekoron për shpërndarjen e helenizmit!), mbeten kundërthëniet ku është misioni i tij fetar dhe ku fillon misioni politik, siç dyshojnë dyshuesit jo të paktë.
MISION FETAR ME PRAPAVIJË?
Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare është rehat me Kryepeshkopin. Por, grupe priftërinjsh, besimtarësh apo dhe mediash, kanë një varg argumentesh që i bëjnë publike, për cënimin e misionit fetar. Nën ndikimin e të parit, për shumëçka mjegullohet realiteti dhe veprimi problematik i para pak ditësh kur në festën e Ujit të Bekuar në Sarandë e Himarë, por dhe në Korçë, është zhvilluar liturgji në gjuhën greke. Thuhet se mbi 95 për qind e ikonave në kishat shqiptare janë në guhën greke, kurse KOASH nuk lejon “…vazhdimin e përkthimeve liturgjike për kombëtarizimin e plotë të Kishës…”
Një prift ortodoks që paraqitet shpesh në rrjetet sociale përshkruan një episod lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe: “…Që në vitin 1993, si student i teologjisë në Athinë, kam debatuar me Kryepeshkopin Anastasios për nevojën e një kishe të dytë në Sarandë, me shkas incidentin e atëhershëm për Pashkët në kishën e qytetit, kur At Efrem Simonopetriti nuk më lejoi të psall diçka shqip. Kryepeshkopi u nxeh, u skuq në fytyrë dhe më tha: “Kush je ti, të më tregosh mua se çfarë do bëj në Sarandë?” Ai vë në dukje se prej atëherë në Sarandë janë hapur edhe kisha protestante, me të cilat Kryepeshkopi bashkëpunon, por jo kishë ortodokse në gjuhën shqipe. Kjo sipas tij, “dëshmon se për z. Janullatos dhe shtetin grek, ekzistojnë plane të tjera, me peshë me të madhe sesa besimi ortodoks”. Dhe paradoksi më i madh ndoshta: “Gjithë kjo bëhet në pajtim me autoritetet shqiptare. Vitin e kaluar këshilltari i Presidentit Meta, z. Ilir Kulla, e tha troç në një debat televiziv: Në jug janë grekë dhe kleri duhet të jetë grek”(burimi: Albanian Orthodox – Shqiptar Ortodoks).
Çështja nuk qëndron te figura e Janullatosit si grek, e as te kanoneve që e kanë sjellë atë në krye të KOASH-it, por te injoranca e një numri jo të paktë besimtarësh ortodoksë shqiptarë, të cilët e shohin si krejt normale kthimin e greqishtes në liturgjitë kishtare në vend të gjuhës së tyre amtare! “Po çka ka të keqe këtu”, ishte përgjigja e një ortodoksi shqiptar në një emision debativ! Dikush duhet t’ia sqarojë atij se greqishtja nuk është gjuhë në cilën është shkruar Bibla, por një nga gjuhët e botës, si shqipja, ndaj dhe nuk ka ndonjë ekskluzivitet përparësie, ndaj është për të të ardhur keq nëse ka besimtarë që nuk shohin qëllimet politike dhe efektin shkombëtarizues pas kësaj.
Kritikët e Janullatosit do të vënë në dukje një varg çështjesh problematike të periudhës së peshkopisë së tij. Orotodoksët shqiptarë patjetër të ballafaqohen me dilemat që nuk janë të pakta. Mjafton të lexoni pjesë të një shkrimi kritik nga At Foti Cici për të marrë seriozisht se ku shkon ortodoksia shqiptare. Sipas këtij prifti, në periudhën e pluralizmit janë nxirë personalitetet që luftuan dhe arritën kombëtarizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri, duke shkëputur nga kujtesa kishtare e besimtarëve vitet 1920-1990…Janë çuar në harresë klerikët me kombësi shqiptare që u përndoqën për besimin ortodoks gjatë diktaturës ateiste, për të mos pasur asnjë shenjë lidhëse nga e kaluara…Në ndërtimin e kishave të reja u imponua një simbolikë dhe ikonografi në gjuhën greke, në masën mbi 95%, duke mëkuar brezin e ri me bindjen se shqipja qenka gjuhë e pafuqishme për të qenë e barabartë me gjuhët kishtare të popujve fqinjë në Kishë…U ndërkall greqishtja në Tiranë, Korçë, etj, ndërsa në mjaft kisha, si në qytetin dygjuhësh të Sarandës, gjuha shqipe u ndalua fare! At Folti Cici akuzon se kryepeshkopi luftoi dhe pengoi organizimin e shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, ndërsa kapi dhe futi nën influencën e tij politike diasporën ortodokse në ShBA. Ndërkaq, kur në vitin 1999, Kryepeshkopi i Athinës vendosi hapjen e një kishe në gjuhën shqipe në Athinë, Kryepeshkopi i Tiranës përdori lidhjet e tij me qeverinë greke duke e bllokuar procesin dhe duke e shtrënguar Kryepeshkopin e Greqisë të tërhiqet! Në vitin 2005 Kryepeshkopi Anastasios mbylli përfundimisht kishën e re në gjuhën shqipe në Toronto, Kanada, gjë që shënoi dështimin e organizimit të shqiptarëve ortodokse jashtë Shqipërisë…Në vitin 2006 u imponua një statut duke zbritur dhe cunguar dekretin e dhënies së Autoqefalisë (1937). Një nga nenet antivendore të statutit të ri ishte përjashtimi i diasporës shqiptare, e cila ekzistonte në statutin e mëparshëm, të vitit 1950, madje duke e futur këtë ndryshim tek nenet e pandryshueshme, për të ngrirë mundësinë e ndërgjegjësimit identitar të shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, nga njëra anë, dhe për të nxitur konflikte dhe çarje brendakishtare në të ardhmen!
At Foti Cici shkon më tutje kur vlerëson se në vitin 2016 u shfuqizua vetë autoqefalia e KOASH-it, me nenin 63.2, por duke i lënë titullin siç është, që të përdoret sot në konfiguracionin e votave që kërkohen në konfliktet ndërortodokse, por që mund të tërhiqet lehtë në të ardhmen. “Edhe pse shtetas shqiptar, Janullatos vazhdon të sillet dhe të veprojë si i huaj, madje një i huaj keqdashës dhe i dëmshëm për integritetin e komunitetit ortodoks në Shqipëri”, thotë ai.
Misioni i Anastas Janullatosit ka qenë ripërtrirja e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, por për këto tri dekada ia adresojnë pikërisht atij injorimin e figurës qendrore të ortodoksisë shqiptare, imzot Fan Noli, i cili ishte themelues i asaj kishe. Në anën tjetër, këto ditë atij iu nda mirënjohja nga kryetari grek Pavllopullos me arsyetimin “Për mbrojtjen e Greqisë dhe Helenizmit”. Greqia në hartën gjeografike është jashtë Shqipërisë dhe nuk është vendi ku Janullatos kryen misionin kishtar(nëse nuk e ka si detyrë të bëjë punë për shtetin fqinj!), ndërkaq helenizmi po ashtu nuk ka lidhje me ortodoksinë, sepse është fenomen para Krishtit! Apo kjo është një dëshmi e shprehur bile “pa doreza” se cili është misioni i tij i vërtetë në Shqipëri?
Si në rastin e raporteve të kishave serbe e maqedonase, ku në prapavijë kanë qenë edhe motivet jo fetare(mohimi i identitetit kombëtar maqedonas), edhe te rasti i situatës në KOASH as shteti shqiptar nuk duhet të rrijë duarkryq, kur shihen tendencat shkombëtarizuese si në shekullin 19-të, kur patën depërtuar priftërinj grekë në kishat shqiptare. Sepse një gjë duhet të jetë e qartë, se “helenizimi i KOASh-it” cenon dhe ndërhyn në liritë e predikimit fetar dhe kauzën fetare të ortodoksëve shqiptarë, që të jetë paradoksi më i madh, brenda shtetit kombëtar shqiptar.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)