Policia e rajonit të Prishtinës konfirmon për një rrahje që ka ndodhur sot rreth mesditës e ku mediat kanë raportuar se është i përfshirë vëllau i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Gani Thaçi.
“Sot rreth orës 12:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje fizike mes tre personave. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, ka thënë për KosovaPress zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti.
Mediat kanë raportuar se vëllau i presidentit Gani Thaçi ka rrahur fizikisht dy persona brenda zyrës së Byrosë së Sigurime, drejtorin e BKS-së Blerim Pushkollin dhe drejtorin e kompanisë së sigurimeve “Illyria Insurance”, sllovenin Gianni Sokoliq.
Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj sulmit fizik të vëllait të tij Gani Thaçi, duke pohuar se të qenit familjar i një zyrtari të lartë, nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd.
Thaçi po ashtu ka pohuar se “asnjëherë nuk do ta arsyetoj asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky”.
Postimi i presidentit Thaçi në Facebook:Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadike fizike. Asnjëherë nuk do ta arsyetoj asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky. Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin. Vetëm kështu ndërtojmë shtet ligjor, në të cilin të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe drejtësisë.