Nuk është me rëndësi se “rezultatet përfundimtare do të përmbysen në tavolinë”, nuk janë me rëndësi emrat që në vijimësi lakohen në diskursin politik shqiptar, emra këta që mbase do ta humanizojnë dhe e emancipojnë imazhin e cilësdo qoftë parti politike, me rëndësi është për mua, për ty, për votuesin dhe për të rinjtë se ç’ndryshime do të sjellin a do bëjnë të përzgjedhurit në mandatin e tyre a edhe të partive politike …!
Nga Fadil LUSHI
Miku im i nderuar! Në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të organizohen këtejpari, ndër ne, këtej në Republikën e Maqedonisë së…, të shpresojmë që kësaj radhe do të mbahen paksa më ndryshe, jo si ato parapraket në veçanti, në kampin politik shqiptar, besojmë dhe shpresojmë se kësaj radhe në këto zgjedhje nuk do të përsëritet ajo historia e shtrembërimit të parimeve, rregullave e normave që llafosin statutin juridik të votës shqiptare, një statut që sot e kësaj dite mbetet peng i partive politike, qofshin ato në pushtet a në opozitë, të besojmë dhe të shpresojmë se në këtë “vit, sa politik, po aq dhe historik për shqiptarët që jetojnë këtej thurimës”, fushata zgjedhore do të jetë paksa më ndryshe, më humane, më demokratike dhe më emancipuese!
Dhe, që kjo fushatë të jetë siç e duam a siç e dëshirojmë ne, që në fillim duhet t’i përjashtojmë kokëçarjet, shqetësimet dhe ngatërresat e vjetra, duhet ta përjashtojmë fjalorin tonë politik këmbë e krye denigrues a fyes, duhet t’i përjashtojmë retorikat politike a fjalimet tona të fryra a edhe të varfra, do të duhet ta përjashtojmë fjalorin tonë provincial …, do të duhet t’i përjashtojmë të gjitha debatet boshe politike …, të gjitha “telenovelat e bezdisshme” politike, “telenovela” këto që ngërthejnë në vete një mal me mijëra oferta dhe premtime, do të duhet njëherë e përgjithmonë ta “sikterisim” atë “logjikën makiaveliste”, atë filozofinë e injorimit të përcaktimit të vlerës së votës, duhet flakur nëpërkëmbjen e mendimit ndryshe, duhet flakur abuzimin e votës deliberative të sovranit, respektivisht të trupit votues, duhet flakur arrogancën kolektive, inatet histerike të pakuptimta dhe homerike ndër shqiptarë!, do të duhet njëherë e përgjithmonë ta flakim atë shprehjen proverbiale prej shqiptari, atë shprehjen tonë të keqkuptuar a të zbrazët, atë shprehjen proverbiale të shtrembëruar që është ulur a shtruar me këmbë të kryqëzuara nën vete, mu aty në kërthizë të mexhlisit tonë politik, mu në kërthizë të kuvendit …, mu në kërthizë të ndejës së njerëzve intelektualë, atë thënien tonë të gabuar, e cila sot e gjithë ditën e Perëndisë, pos të tjerash kësisoj lakohet: “T’i hapim rrugë të marrit a budallait, atij që mëton të fusë turinjtë atje ku nuk e ka vendin …, sepse ai mund të na ngatërrojë mendjen tonë!” Po këtij budallait a të marrit evropianët dhe amerikanët, lëre që ia mbyllin rrugët, por edhe e fusin atje ku e ka vendin, atje në çmendinë …, sepse ata e dinë fare mirë se pikërisht ky mund t’ua prishë punët …, mund t’i çojë në fund të humnerës, mund t’i shpjerë në rrugë të gabuar …, atje ku nuk duhet shkuar, atje ku nuk ka zhvillim perspektiv .., atje ku gjeli krekoset majë plehut, andaj ne që jetojnë në “qymezin” e përbashkët këtej Gadishullit Ilirik, këtij budallait, dhe të tjerëve të tillë si ky, duhet t’ua mbyllim të gjitha shtigjet që çojnë drejt organizma-ve shtetërorë a shoqërorë .., drejt në hapësirat ekonomisë, të shkencës, të arsimit, të kulturës, të jetës politike etj.
Që e gjithë kjo fushatë të duket humane dhe emancipuese, fillimisht do të duhet ta pengojmë nëpërkëmbjen e votës së sovranit, të mos lejojmë që të përsëriten inatet a edhe qejfet e disa politikanëve, të cilët lëre që nuk kanë “kuptim për hallexhinjtë nga lagjet e tyre, lëre që nuk takohen me ta, lëre që nuk i përfillin sugjerimet e tyre, por edhe, në instancë të fundit, as që u ha palla për shqetësimet e tyre!” Assesi nuk duhet lejuar që të përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, nuk duhet që vota të karakterizohet si e porosi-tur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos konceptohet si jopersonale, si e kornizuar a edhe si e mohuar. Ndaj, që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, që të jetë një dedikim i vullnetshëm, racional dhe demokratik dhe, mbi të gjitha, një gjest i lartë emancipimi, gjegjësisht një çlirim nga varësia e dikujt a e diçkaje, ajo nuk duhet të preket a të ngacmohet si e tillë! Për këtë shkak, akëcili që do të mëtojë që këtij procesi parazgjedhor dhe zgjedhor t’i bëjë hile a edhe fyerje …, akëcili që do të bëjë përpjekje që këtij procesi t’ia ngjitë bishtin prapa, gjithsecili që do të mëtojë ta përcaktojë ndryshe a ta abuzojë dhe kontrabandojë të drejtën e votës …, akëcili që do të mëtojë t’i bëjë komente joparimore, joprofesionale dhe tarafllëqe, do të duhet që në fillim përfundimisht të largohet nga ky proces, pavarësisht se cilën parti politike e përfaqëson, pavarësisht se cilës zonë i takon! Tekefundit, e drejta e votës së tij nuk duhet të “ndërtohet” sipas qejfit të atyre që mëtojnë ta “zaptojnë pushtetin legjislativ”!
Prandaj ti, miku im, në je pushtetar a opozitar, në je “tarafxhi”, në je ministër a përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, në je aktivist i cilësdo qoftë parti politike, në je mësues, zejtar, intelektual, bujk, tregtar a edhe një qytetar i rëndomtë, mbroje të drejtën tënde kushtetuese për të votuar …, bëj kujdes dhe mos iu nënshtro propagandës politike, mashtruese, shpifëse, demagogjike si dhe, bëj kujdes se cilës parti politike do ia japësh votën tënde, nuk është me rëndësi se kush do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare, nuk është me rëndësi se cila do të jetë adresa politike e atyre që “do të mashtrojnë”, fare nuk është me rëndësi se kush do të “trishtohet” nga disfata, ama hiç fare nuk është me rëndësi se cila do të jetë “logjika e procesit të numërimit të votës!” pavarësisht se ajo do të “viktimizohet pak a shumë” (kjo gjithsesi se nuk na hyn në punë), nuk është me rëndësi se “rezultatet përfundimtare do të përmbysen në tavolinë”, nuk janë me rëndësi emrat që në vijimësi lakohen në diskursin politik shqiptar, emra këta që mbase do ta humanizojnë dhe e emancipojnë imazhin e cilësdo qoftë parti politike, me rëndësi është për mua, për ty, për votuesin dhe për të rinjtë se ç’ndryshime do të sjellin a do bëjnë të përzgjedhurit në mandatin e tyre a edhe të partive politike!
Urime dhe me këmbë të mbarë, votuesi ynë i dashur! (koha.mk)