Gjykimi për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin Republikan ka vazhduar fillimisht me dëshminë e ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Vlejanovskit.
Ai para trupit gjykues tha se në asnjë moment nuk ka menduar e as që ka urdhëruar hapjen e dyerve të Kuvendit, por që “27 prilli” dukej prej fillimit një ditë e tensionuar. Ai madje mohoi që përmes porosive të ketë koordinuar hyrjen e demonstrantëve në Kuvend teksa tha se dëshminë e tij e vërtetojnë edhe dëshmitë materiale që i posedon prokuroria. Ai në detale sqaroi ndodhitë e 27 prillit në Kuvend në seancën plenare, teksa i doli në mbrojtje të akuzuarit dhe sigurimit personal të tij, Goran Gjoshevskit.
Gjykatësja, Dobrilla Kacarska, pyeti Veljanovskin për rolin e tij në ngjarjet e Kuvendit, mes tjerash edhe për porositë që ia kishte dërguar sigurimit të këtij lloji “Rrini në gjendje të gatshme”. Kacarska për porosinë që Gjoshevski ia kishte dërguar Veljanovskit me përmbajtjen se “të gjithë e dinë edhe nga MPB”, kërkoi të kuptojë se kush janë ata të gjith; nga MPB, në çka Veljanovski nuk kishte përgjigje konkrete. Veljanovski, sipas deklarimit të tij, nuk ka qenë as në dijeni se në Kuvend kanë hyrë persona të maskuar.
Ndërkohë, avokatja mbrojtëse e të akuzuarit Goran Gjoshevskit, Ruzhica Nikollovska, akuzoi gjykatësen, Dobrilla Kacarska, se dëshmitarin, Trajko Vlejanovski, e ka marrë në pyetje duke mos i respektuar parimet ligjore.
“Nëse është kjo tendencioze dhe e njëanshme, nuk është e imja të them, publiku le të vlerësojë. Por, nga ajo që e pashë, nuk është e lejuar. Si jurist jam e habitur nga ajo që ndodhi në Gjykatë. Provokimet dhe fjalët e komentuara nga prokurorja publike ishin të pahijshme”,- u shpreh avokati mbrojtës, Ruzhica Nikollovska. Seanca për “27 prillin” vazhdoi me shpalosjen e dëshmive nga dëshmitarët e radhës.
Ndërkohë, kreu i Aleancës, Zijadin Sela, i thirrur si dëshmitar nga ana e të akuzuarit, Abdylafetah Halimi, tha se ajo që mban në mend është hyrja e turmës brenda në kuvend si dhe gjuajtjet dhe goditjet që kanë filluar ndaj deputetëve. Sela tha se edhe përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e sigurimit të kryeministrit, Zoran Zaev, turma sërish ka arritur që të depërtojë brenda. Ai në dëshminë e tij thotë se njeriu i cili ia ka shpëtuar jetën është sigurimi, respektivisht Abdulfetah Halimi, o cili e ka fshehur atë në një nga zyrat e Kuvendit, në katin e tretë.
Halimi i ka thënë Zijadin Selës “do të të mbrojë deri në fund, deri sa të jesh gjallë, nëse jo, atëherë më fal”. Në pyetjen e trupit gjykues se si ka arritur deri në katin e tretë, Sela ka deklaruar se “për këtë pjesë nuk di asgjë, sepse kam qenë i alivanosur”. Sela gjithashtu ka sqaruar se i akuzuari, tash më Abdylfetah Halimi, e ka shoqëruar atë gjatë gjithë kohës, madje edhe rrugës deri në spital, deri sa ai nuk është takuar me familjarët e tij. (Tvm2)