Shkup, 15 janar – Bullgaria e përkrah Maqedoninë për anëtarësim në BE dhe në NATO, tha ambasadori bullgar në Shkup Ivan Velikov Petkov para Komisionit për çështje evropiane në Kuvendin e Maqedonisë, duke i prezantuar prioritetet e Kryesimit bullgar me BE-në.
“Bullgaria i përkrah përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë, të opozitës dhe të shoqërisë qytetare për arritjen e qëllimeve më të larta kombëtare – anëtarësim në BE dhe në NATO dhe kjo të ndodh gjatë kohës kur me Këshillin Evropian kryeson pikërisht Bullgaria”, tha Velikov Petkov.
Por, që të ndodh kjo, potencoi ambasadori bullgar, duhet të zbatohen prioritetet urgjente reformuese.
Ai paralajmëroi se Bullgaria gjatë kryesimit me BE-në, do të punojë në rritjen e kontakteve mes vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre.
Ambasadori Velikov Petkov ka shprehur edhe kënaqësi që Marrëveshja për fqinjsëi të mirë me Bullgarinë sot është vendosur në ratifikim në Kuvendin e Maqedonisë.