Matias Vecino nuk bën pjesë në planet e Antonio Contes dhe është në pritje të ofertave për t’u larguar nga Interi, ndërsa së fundi në garë për shërbimet e tij është futur fuqishëm skuadra tjetër italiane, Napoli. Mesfushori 29-vjeçar pëlqehet shumë nga Gattuso, veçanërisht për faktin që përshtatet në çdo pozicion të mesit të fushës dhe drejtuesit e Napolit kanë nisur prej ditësh negociatat me Interin, ndonëse oferta dhe kërkesa janë ende larg.
Uruguaiani është i dëmtuar dhe nuk pritet të luajë para muajit nëntor, ndaj Napoli ka ofruar ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje, që do të bëhej detyrim blerjeje, nëse mesfushori do të arrinte të luante një numër të caktuar ndeshjesh. Momentalisht palët ndahen për çmimin e Vecinos, pasi Interi kërkon 18 milionë euro për kartonin e tij, nëse vendoset për blerjen përfundimtare, ndërsa te Napoli nuk janë gati të ofrojnë më shumë se 12 milionë euro.
Palët pritet të ulen sërish në tryezë gjatë ditëve të ardhshme dhe gjasat janë që të gjejnë një “të mesme të artë” që të kënaqë si Interin, ashtu edhe Napolin e futbollistin, i cili do të transferohem me kënaqësi nën urdhrat e Gattusos, pasi dëshiron të luajë rregullisht. Matias Vecino iu bashkua Interit në verën e 2017-ës, kur zikaltrit vendosën të paguajnë 24 milionë euro në arkat e Fiorentinës dhe gjatë këtyre tre sezoneve numëron 96 ndeshje dhe 11 gola të shënuar.