Vdes politikani gjerman, Hans-Jochen Vogel

28

Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë konsiderohej instancë morale në vendin e tij dhe ishte përkrahës i ndërhyrjes së NATO’s në Kosovë.

Ka vdekur sot në München në moshën 94-vjeçare politikani gjerman Hans-Jochen Vogel. Ai ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), kryetar i Münchenit, ministër i drejtësisë, shef i grupit parlamentar të SPD-së, kandidat për kancelar, prefekt i Berlinit. Hans-Jochen Vogel ishte instancë morale e shoqërisë gjermane dhe gëzonte respekt edhe nga kundërshtarët politikë.

Vogel i takonte gjeneratës së politikanëve gjermanë që në moshë të re qenë dëshmitarë të Luftës së Dytë Botërore. Vogel u rrit dhe u politizua me bindjen se Gjermania nuk duhet kurrë të marrë pjesë në asnjë luftë. Ai thoshte se aty ku ushtari gjerman ka shkelur në Luftën e Dytë nuk guxon të shkelë më.

Megjithatë, ai e përkrahu ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Në një intervistë për “Süddeutsche Zeitung” Hans-Jochen Vogel tha: “Me rastin e ndërhyrjes në Kosovë mua në fund gjithsesi më ka bindur argumenti se edhe pa mandat të Kombeve të Bashkuara nuk duhet toleruar dëbimet masive dhe vrasjet, aq më tepër kur ato ndodhin në fqinjësi të afërt. Kjo nuk ka qenë e thjeshtë për mua, por ekziston edhe domosdoshmëria e krishterë për të ndihmuar”.

Një gazetar gjermane në një përkujtim shkruan: atij nuk i duhej rendi i ditës, ai ishte vetë rendi i ditës – i saktë, korrekt, organizator fantastik, me ditë e javë të planifikuara dhe të strukturuara. Një sinonim i burokracisë gjermane në kuptimin më pozitiv të mundshëm. Një shërbëtor i shtetit dhe atdheut.

Comments are closed.