Vdes në gjueti 66-vjeçari

Gostivar, 21 mars – Të martën mbrëma rreth orës 19, 66-vjeçari me iniciale A.Z nga fshati Vërbjan i Rekës së Poshtme së bashku me 30 vjeçarin me iniciale D.D, si dhe 56 vjeçarin D.S nga Mavrova, pas një marrëveshje paraprake, kanë dalë për gjueti në afërsi të fshatit, gjegjësisht në vendin e ashtuquajtur “Kazani”, shkruan gazeta KOHA.

Në këtë vend, ata ishin ndarë në anë të ndryshme, dhe kur pas një ore A.Z nga fshati Vërbajn nuk është lajmëruar në telefon, dy mavrovasit kanë filluar që ta kërkojnë dhe e kanë gjetur të shtrirë në anën e majtë të rrugës. Kur janë afruar, kanë vërejtur se A.Z nuk ka dhënë shenja jete dhe se kishte ndërruar jetë, pas çka rastin e kanë paraqitur në departamentin policor të Mavrovës.

Një prokuror publik, një mjek i mjekësisë mjeko-ligjore, si dhe një ekip nga stacioni policor i Gostivarit kanë kryer hetim të kompletuar dhe pas këtij hetimi, nuk janë gjetur shenja të dhunës, dhe me urdhër të prokurorit publik do të kryhet obduksion mbi trupin e pa jetë të 66 vjeçarit. (koha.mk)