Në afat sa më të shkurtër do të përgatiten udhëzimet për monitorimin e kushteve të rrezikshme gjatë shtatzënisë, kurse për të parandaluar masat e vdekshmërisë te foshnjat, duhet të merren masa konkrete (kontrolli i nënave shtatzëne, përmirësimi i kushteve, rritja e kuadrit të mirëfilltë…)
Delvina KËRLUKU
Shkup, 13 prill – Specializimi i kuadrit të mjekëve, rritja e numrit të gjinekologëve amë, ngritja e cilësisë së shërbimeve në maternitet etj, janë një ndër masat që duhet të merr Ministria e Shënetësisë, për parandalimin e vdekshmërisë së foshnjave të porsalindur. Sa i përket vdekjes së 35 foshnjave të posalindura në tre muajt e pare të këtij viti, në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, ministri të Shëndetësisë, Venko Filipçe, vlerëson se mungesa e dhomave të lindjes, kujdesit joadekuat dhe jo në kohë kujdesi i shëndetit të nënave, pasha e tyre e ulët e lindjes dhe lindjet e parakohshme janë shkaktarët kryesor të vdekjes së tyre.
Ministri Filipçe shton se në afat sa më të shkurtër do të përgatiten udhëzimet për monitorimin e kushteve të rrezikshme gjatë shtatzënisë, si dhe udhëzimet klinike për trajtimin e sëmundjes së sepsës, problemet me koagulimin e gjakut gjatë shtatzënisë dhe gjatë punës, udhëzimet për trajtimin e presionit te lartë të gjakut të nënës, kombinuar me nivele të larta të proteinave të gjakut.
MASAT PARANDALUESE
Ndërsa nga Spitali “Nënë Tereza” në Çair, zëdhënësi Ilir Shurdhani thotë se arsyet e vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura vijnë si rezultat e lindjes së parakohshme, si dhe infeksionet e ndryshme.
Për të parandaluar masat e vdekshmërisë te foshnjat duhet të merren masa konkrete si kontrolli i nënave shtatzëne, përmirësimi i kushteve, rritja e kuadrit të mirëfilltë, etj.
“Sa i përket arsyeve për vdekshmërinë e foshnjave ka shumë, por ne do të veçojmë disa. Ndër më të shpeshtat me të cilat ballafaqohemi janë lindjet e parakohshme, sidomos ato para javës 28, infeksionet e pa determinuara gjatë periudhës së shtatzënisë, anomalit kongjenitale. Kurse, sa i përket masave për previnim do të veçonim organizimin adekuat të shëndetësisë primare, detektimin e hershëm të shtatzënave me rrezik të lartë si dhe menanjimin adekuat dhe në kohë të të njëjtave, kontroll të rregullt tek mjekët amë apo në spitalet ku gravitojnë, ngritja e nivelit shëndetësor tek gratë shtatzëna, rritja e numrit të punësuarve, përfshi personelin e mesëm dhe mjekët”, tha Shurdhani për gazetën “Koha”.
Shkalla e vdekshmërisë së foshnjave, si një tregues kyç për të matur shëndetin e përgjithshëm të të gjithë popullsisë, është më e lartë në vendet ku ka dallime të dukshme në gjendjen shëndetësore të popullatës dhe në vendet të cilat përballen me kushtet sociale, kulturore dhe politike të pafavorshme.
Rosana Janevska nga shoqata “Hera”, asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim, duke folur për këtë dukuri vlerëson se në të kaluarën shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në vend ka qenë vazhdimisht e lartë në mesin e grave rome, dhe në vitin 2016 ishte më e lartë në mesin e grave të nacionalitetit shqiptar. Sipas saj në Maqedoni ka pengesa të shumta për të hyrë në shërbimet e shëndetit riprodhues, duke përfshirë në veçanti barrierat institucionale ose mungesën e qasjes në shërbime për shkak të shpërndarjes së pabarabartë gjeografike të gjinekologëve në vend dhe pengesat financiare, siç është pagesa e paligjshme e kontrolleve gjinekologjike që nuk duhet të paguhen, por duhet të ngarkohen me këtë në zyrat e gjinekologëve amë.
“Përgjegjësia në asnjë mënyrë nuk mund t’i atribuohet nënave por institucioneve shëndetësore të cilët duhet të marrin masa pro-aktive për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës dhe për të lehtësuar qasjen në shërbimet shëndetësore”, thonë nga shoqata “Hera”, për gazetën “Koha”.
AMBIENT I NDOTUR STIMULON VDEKSHMËRINË
Për aspektet e ndryshme të shkaqeve të vdekshmërisë dhe masave parandaluese, kanë folur edhe përfaqësuesit e Lëvizjes “Nëna dhe Fëmija”.
“Lëvizja “Nëna dhe Fëmija”, aspektin e vdekshmërisë së foshnjave mund ta analizoj më tepër nga ndikimi i ndotjes së ambientit, ajrit në veçanti, gjë që gjithmonë e kemi cekur dhe elaboruar. Pa diskutim që ndotja e ajrit, dhe e ambientit në përgjithësi ka impakt të lartë në shëndetin e popullatës, dhe sipas statistikave për grupmosha të ndryshme dëshmohet qartë që ndotja është e lidhur ngushtë me shëndetin e fëmijëve, që si rast eksperimental ku mund të verifikohet më qartë statistikisht në rajonin e Tetovës duke u bazuar në të dhënat ditore të parametrave të ndryshme ndotës të ajrit gjatë periudhave kur ndotja kulminonte, për shkak të funksionimit të fabrikës Jugohrom dhe pas ndërprerjes me punë të kësaj fabrike.
Andaj, besojmë që ndotja e ajrit mund të jetë e ndërlidhur ngushtë edhe me vdekshmërinë e foshnjave në Maqedoni, duke patur zanafillën në ndikimin që ka në shëndetin e nënave para dhe përgjatë shtatëzanisë.
Vdekshmëria e foshnjave në Maqedoni duhet të jetë e ndërlidhur edhe me shumë faktorë të tjerë, duke filluar nga standardi i ulët, shëndetësi të dobësuar dhe jo profesionale, trajtim jo adekuat dhe kushte jo të favorshme neonatologjike nëpër repartet e gjinekologjisë, ndotja e ambientit, veçanërisht ndikimi në produktet bujqësore, gjegjësisht ushqimore, etj.”, thotë Narta Kasa nga Lëvizja Nëna dhe Fëmija, për gazetën “Koha”.
VDEKSHMËRIA MË E MADHE NË KOMUNAT E SHKUPIT
Bazuar në entin statistikor që nga viti 2013 deri në vitin 2016 vdekshmëri më të lartë kanë gjithsesi Qyteti i Shkupit, Tetova, komuna Qendër e Shkupit, Studeniçani, Çairi, Manastiri, Kumanova etj, që flet qartë se këto komuna ishin gjithashtu ndër më të ndoturat në vitet e fundit dhe mund të thuhet që ndotja ka pasur ndikim të konsiderueshëm në këtë koeficient të lartë. Tetova në vitin 2013 ka pasur gjithsej 15 foshnjë te vdekura, ndërsa në vitin 2016 numri i tyre është rritur në 24 dhe aq më keq të gjitha kanë pasur trajtim mjekësor.
Andaj duhet të ndërmerren masat urgjente për ndikim në uljen e këtij koeficienti sa më tepër, gjë që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të fillojë program të veçantë, veçanërisht duke filluar në rritjen e standardit të spitaleve dhe qendrave klinike të ndryshme në Maqedoni si dhe përmirësimin e standardit jetësor, programeve speciale për edukimin e nënave të reja përgjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, veçanërisht me perkujdesjen direkte të foshnjave nga personeli mjekësor në kuadër të repartit neonatologjik që nuk funksionon shumë ose pothuaj aspak në tërë Maqedoninë, etj. (koha.mk)