Patriot LUMANI
Strugë, 24 janar – Banorët e Vranishtës të Strugës, kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugën magjistrale Strugë-Dibër, në rast se autoritetet nuk marrin masa preventive për evitimin e aksidenteve fatale, në këtë aks, shkruan gazeta KOHA. Ata, siç thonë, u detyruan që të marrin këtë qëndrim, pasi para disa ditëve një banore e këtij fshati e pësoi, pasi u përplas nga një makinë. Banorët e Vranishtës, në organizim të BL-së, kanë hartuar disa kërkesa që tashmë janë adresuar deri te autoritetet në Strugë dhe në Ohër te Sektori për Punë të Brendshme, të cilat nëse nuk plotësohen kanë paralajmëruan se do të bllokojnë rrugën. Ata kërkojnë nga autoritete të vendosin kontroll policor në 24 orë, të vendosin kufizim shpejtësie nëpërmjet ndalimit të detyruar, shenjëzimin dhe sinjalizimin e rrugës përskaj fshatit, ndriçimin dhe ndërtimin e trotuarit. Në lidhje me këtë situatë gazeta KOHA kontaktoi ushtruesin e detyrës së kryetarit të Strugës, Mustafa Zabzun, i cili potencoi se ka pasur një takim të zgjeruar me përfaqësuesin e këtij fshati të Strugës, ku pasi ka dëgjuar shqetësimet e tyre, ka konkluduar se një pjesë e kërkesave që i adresojnë, me të drejtë banorët e këtij fshati do të duhet të zgjidhen nga autoritetet qendrore. Ndërsa, sa i përket çështjes së ndriçimit dhe trotuarit, pushteti vendor i Strugës, saktëson Zabzun, do të marrë përsipër realizimin e këtij investimi si dhe do të hartojë projekt për ndriçimin e magjistrales që kalon në këtë fshat, edhe pse si investim do të duhej të realizohet nga pushteti qendror.
“Ne si pushtet vendor mirëkuptojmë shqetësimin e qytetarëve të këtij fshati, por jemi të detyruar të sqarojmë se një pjesë e kërkesave, sidomos ato që kanë të bëjnë me policinë, do të duhet MPB-ja t’i realizojë. Ndërsa, sa i përket trotuarit dhe ndriçimit, ne si pushtet vendor në një kohë të shpejtë do të shohim mundësinë për realizimin e 350 metrave trotuar dhe ndriçimin e rrugës aty, në mënyrë që këmbësorët të kenë hapësirën e garantuar të kalimit dhe të evitohen dhe zvogëlohen rastet me pasoja për ta”, përfundon ai. Përveç rrugës, Strugë-Dibër, edhe rruga nga rrethi kryesor i Strugës në drejtim të Misleshovës ka rezultuar në disa raste fatale për këmbësorët. (koha.mk)