Shkup, 6 dhjetor – Ministria e Ekonomisë edhe vitin e ardhshëm do të vazhdojë me subvencionimin e qytetarëve të cilët do të vendosin kolektorë diellor dhe do t’i ndërrojnë dritaret e vjetra prej druri me të reja PVC apo prej alumini me efikasitet energjetik, ndërsa risi do të jetë subvencionimi për blerjen e stufave me peleta për amvisëritë, paralajmëroi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Pas ribalancit, Ministria për këtë vit i ka marrë 16 milionë denarë për subvencionimin e vendosjes së dritareve me efikasitet energjetik, ndërsa janë subvencionuar 1.327 më shumë konsumatorë se vitin e kaluar.
“Gjatë këtij viti janë subvencionuar edhe 1.794 qytetarë të cilët kanë vendosur kolektorë diellorë që është për mbi 1.000 më shumë se vitet e kaluara”, tha Bekteshi në konferencë shtypi në Qeveri, duke plotësuar se Ministria e Ekonomisë ka arritur në kohë t’i realizojë të gjitha kërkesat e subvencionuara.
I pyetur nëse në tërësi do të pezullohen kufizimet për shitjen e alkoolit, ministri i Ekonomisë u përgjigj se negociatat zgjasin akoma, ndërsa Ministria do të propozojë heqjen e kornizës kohore për shitje.
Lidhur me procedurën për hapjen e minierës Kazandol, Bekteshi tha se janë respektuar të gjitha procedurat, ndërsa për pjesën për ndotjen e mjedisit jetësor, siç theksoi, kompetente është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.