Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 shtator – Në rrjetin tregtar me pakicë dhe sidomos tek tregtarët më të vegjël, por edhe mjaft dyqane të tjera me mallra të ndryshëm – qofshin ato ushqimor apo tekstil, në tërë Maqedoninë dhe jo vetëm në Shkup, mungon interesimi i tregtarëve që t’ju mundësojnë qytetarëve pagesën me kartelat pagesore, shkruan gazeta KOHA. Shkaqet janë harxhimet e ndryshme si provizionet deri në 2 për qind të vlerës që blerësi e paguan me kartelë e që shkon në llogari të shitësit që e paguajnë bankat për çdo transaksion përmes pos terminaleve. Vlerësohet se krahas provizioneve, edhe xhepi jo i thellë i qytetarëve që i detyron të kenë kujdes me çdo harxhim ditor nuk lejon përdorimin më të madh të kartelave pagesore. Gjithashtu, edhe ndryshimi i ngadalshëm i shprehive të popullatës që në parim është mësuar të paguajë me kesh dhe ngadalë pranon risitë, por edhe mos posedimi i linjës për telefoni fikse si kusht për instalimin e aparateve për pagesa jo me kesh, paraqet pengesë për përdorimin më të madh të kartelave në tërë Maqedoninë.
“Krahas ndryshimit të ngadalshëm të shprehive për shkak se shumica preferojnë të kryejnë pagesat e tyre të përditshme me para në dorë, janë edhe procedurat ndryshme administrative që shpesh i lodhin dyqanet më të vogla e që nuk shkojnë në favor të pagesave më të mëdha përmes kartelave kreditore. Gjithashtu, edhe mungesa e aparatit të telefonisë fikse që mundëson pagesën përmes pos-terminalit në një vend pagese – pamundëson pagesën pa kesh, jo vetëm në vendet rurale dhe fshatrat, por edhe në vendbanimet urbane, sepse shpesh tregtarët kanë hequr nga përdorimi linjën fikse të telefonit dhe thjeshtë e kanë mërzi ta vendosin atë sërish në përdorim. Por, shpesh posedimi i linjës fikse është edhe harxhim plus për të cilin ato nuk dëshirojnë të çajnë kokën”, thotë Hasani, një tregtar nga Shkupi. Në ndërkohë, ekonomistët thonë se rezistenca ndaj kartelave ekziston vetëm në dyqanet më të vogla, ndërsa në supermarketet më të mëdha, si dhe dyqanet në qendrat tregtare, as që bëhet fjalë të mos përdoren kartelat për shitblerje.
Analizat e ndryshme tregojnë se qytetarët e Maqedonisë akoma ngadalë ndryshojnë shprehitë e tyre dhe ngecin në ndjekjen e trendeve moderne të pagesës pa kesh. Të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë për qarkullimin pagesor tregojnë se si shtet shënojmë një përparim të ngadalshëm dhe akoma jemi shumë pas mesatares evropiane lidhur me shfrytëzimin e kartelave pagesore. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se vitin e kaluar, në Maqedoni 13.080 tregtarë kanë ofruar mundësinë e pagesës pa kartelë kreditore, ndërsa më shumë kompani ofrojnë mundësinë e pagesës në 20.581 vende përmes kartelave kreditore.
“Pjesëmarrja e vlerës së transaksioneve me kartela pagesore në Maqedoni, në vitin 2016 është 11 për qind dhe është si përqindje shumë më e ulët në raport me mesataren e shteteve të vjetra anëtare të BE-së, ku është 32 për qind, dhe relativisht më ulët në raport me shtetet e Evropës lindore dhe qendrore ku është 19 për qind. Të dhënat e tilla udhëzojnë se edhe përkundër rritjes së vazhdueshme të kartelave pagesore në vend, shfrytëzimi tyre për pagesë në tregti akoma është relativisht i ulët në raport me shtetet e BE-së”, tregon raporti i Bankës Qendrore për vitin e kaluar. Ekonomistët shtojnë se edhe situata e vështirë ekonomike ndikon që qytetarët e Maqedonisë të adaptohen me mundësitë më të vogla për harxhim, për shkak se shumica e qytetarëve kanë kujdes të madh se si dhe për çka i harxhojnë të hollat dhe pak kanë mundësi që pa telashe deri në fund të muajit të përdorin më lirshëm kartelat pagesore. Në ndërkohë , trende të ngjashme të përdorimit të vogël të kartelave pagesore shënohen në të gjitha shtetet e Ballkanit, për dallim prej shteteve skandinave që synojnë anulimin e tërësishëm të pagesave me para të gatshme në dorë. Heqjen e plotë të pagesës me para të gatshme në Ballkan e pamundësojnë faktorët socio-ekonomik, refuzimi i risive, infrastruktura e nevojshme që pamundëson që çdo kund të keni mundësi të paguani me kartelë, si dhe niveli i edukimit dhe informimit të qytetarëve për përparësitë e një lloj pagese të tillë. Për dallim prej shteteve të Ballkanit, Skandinavia që moti shquhet si rajoni ku më së paku nevojiten paratë e gatshme. Lëvizja drejt “një shoqërie pa kesh” vërehet si trend në të gjitha shtetet skandinave. Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Islanda janë liderë botëror në pagesën pa para të gatshme, e që preferohet edhe për pagesa minimale siç është blerja e çamçakëzit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.