Shkup, 3 shkurt – Në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimit sot do të intervistohen kandidatët për shpalljen e emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, informon Koha.
Sipas njoftimit të shpallur nga Parlamenti, i cili zgjati nga data 22 deri në 27 muajin e kaluar, sipas të dhënave të fundit, u paraqitën rreth 60 kandidatë.
Intervistat e kandidatëve do të transmetohen direkt në Televizionin e Maqedonisë dhe do të udhëhiqen nga përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Unionit Ndërparlamentar dhe shoqatave të qytetarëve që merren me luftën kundër korrupsionit.
Paraprakisht ishte zgjedhur Komisioni shtatëanëtarësh për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Komisionit Shtetëror për Pengimin e Korrupsionit. Nga radhët e deputetëve ky komsionin përbëhet nga Muhamed Zeqiri LSDM-së, BDI Artan Grubi, Zoran Ilijoski VMRO-DPMNE dhe Vlladanka Aviroviq nga grupi i pavarur parlamentar i VMRO-DPMNE-së, ndërsa Dragi Celevski ka qenë i nominuar nga Avokati i Popullit, ndërsa Sabina Fakiq dhe Besim Nebiu si përfaqësues të shoqatave apo fondacioneve të emëruar për anëtarë të Këshillit për bashkëpunim mes qeverisë dhe shoqërisë civile.
Afatet për zgjedhjen e përbërjes së parë të komisionit kundër korrupsionit sipas ligjit të ri janë shkurtuar në mënyrë që komisioni i ri të mund të formohet përpara fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale.
Siç thuhet në njoftim, zgjidhen kryetari i komisionit dhe gjashtë anëtarë me mandat pesëvjeçar, të cilët nuk do të kenë të drejtë për rizgjedhje. Gjatë përzgjedhjes, sipas Ligjit të ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, do të zbatohet parimi i përfaqësimit adekuat dhe të barabartë dhe parimi i përfaqësimit të barabartë gjinor.
Ligji i ri për Parandalimin e Korrupsionit parashikon që krytear dhe anëtarë të KSHPK-nuk mund të zgjidhet person i cili në 10 vitet e fundit ka qenë donator i një partie politike, deputet ose anëtar i Qeverisë. Gjithashtu anëtarët e rinj duhet të kenë gjashtë vjet përvojë pune në fushën e zbulimit ose parandalimit të korrupsionit, sundimit të ligjit dhe të kanë përfunduar studime juridike, ekonomike, politike ose të komunikimit. (koha.mk)