Shkup, 26 shkurt – Autoritetet e qytetit informojnë se vazhdon aksioni për ndarjen e subvencioneve për pastrimin e oxhaqeve me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit ambiental, pwrcjellw gazeta KOHA.
Po ashtu edhe këtë vit është bërë thirrje publike për subvencionimin e amvisërive dhe subjekteve të tjera në zonën e kryeqytetit për pastrimin e oxhaqeve për vitin 2019. Me këtë thirrje, Qyteti i Shkupit kompenson një pjesë të harxhimeve të amvisërive edhe të subjekteve të tjera për pastrimin e oxhaqeve në vlerë prej 1.000 denarë. Në thirrjen publike mund të marrin pjesë persona fizikë dhe juridikë, që me vendbanim apo me seli janë në zonën e Qytetit të Shkupit. Thirrja publike zgjatë deri më 30 nëntor të vitit 2019 dhe do të realizohet në bazë të parimit “kush vjen i pari shërbehet i pari”, respektivisht deri në realizimin e mjeteve të parapara për këtë qëllim me Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2019.
Qytetarët më shumë informata për thirrjen publike dhe për kushtet e aplikimit mund të marrin në lidhjen vijuese të internetit – – http://www.skopje.gov.mk/Uploads/JavenPovik/Јавен повик – Оџаци-2019.pdf
Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i ndotjes së ajrit ambiental në qytet, veçanërisht me grimcat partikulare (PM10 dhe PM2.5). Njëra prej arsyeve më të mëdha për emetimin e këtyre grimcave është ngrohja e objekteve që nuk janë të përfshira në ngrohjen qendrore, para se gjithash, për shkak të djegies të paplotë dhe të papërshtatshme të druve të djegura, kualitetit të papërshtatshëm të drurit dhe mënyrës së ruajtjes së tyre dhe përdorimit të stufave vjetra dhe të dëmtuara, si dhe pastrimi jo i rregullt i oxhaqeve dhe mirëmbajtja” thuhet në kumtesën e Qytetit të Shkupit.
Kjo masë ka për qëllim të arrijë efekte afatshkurta dhe disa më afatgjata, siç është arritja e djegies më të mirë, zvogëlimi i gazit të dëmshëm, paraqitja e blozave dhe harxhimet për ngrohje, si dhe ngritja e vetëdijes publike te qytetarët për nevojën e pastrimit të oxhaqeve.
Qyteti i Shkupit këtë masë e realizoi edhe në vitin 2018, ku u ndanë 269 subvencione. (koha.mk)