Bujar KURTAJ
Shkup, 18 mars – Java e 23 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë do të zhvillohet sot (e shtunë) dhe jo të dielën siç është e zakontë. Nga pesë përballjet që janë paraparë të zhvillohen, nuk mungojnë ndeshjet derbi, qoftë ato për garën për titull, daljen në Evropë dhe mbijetesën. Derisa, skuadrat shqiptare, për kundërshtar në këtë xhiro do të kenë përballje të rëndësishme.
Skuadra e Shkëndijës “luftën” dhe hapin me Vardarin do të tentojë ta mbajë nëpërmjet Bregallnicës, ku kuqezinjtë do të jenë mysafir. Sigurisht se në bazë të kualitetit që kanë, favorit për tre pikët konsiderohen djemtë e trajnerit Tomas Brdariç. Edhe pse do të vuajnë mungesën e Ferhan Hasanit, skuadra tetovare nuk pritet të ketë problem për të arritur deri te fitorja, edhe pse ata janë të vetëdijshëm se nuk duhet nënçmuar në asnjë mënyrë skuadrën e Bregallnicës.
“Shkëndija në çdo ndeshje hyn për të fituar dhe kështu do të jetë edhe kundër Bregallnicës. Realisht unë për herë të parë do të përballem me këtë skuadër dhe informacionet e vetme që kam janë nga bashkëlojtarët dhe analizat e stafit teknik. Normal se nuk guxojmë t’i nënçmojmë pasi javën e shkuar ata i shkaktuan shumë probleme Vardarit dhe humbën koncentrimin në fund të takimit. Prandaj ne do të hyjmë maksimalisht të përqendruar, të bëjmë lojën që kërkon stafi teknik dhe nëse realizojmë detyrat tona si duhet, besoj se do të arrijmë të fitojmë ndeshjen”, deklaroi për gazetën KOHA, Dino Mgjedoviç.
Përballje tejet interesante pritet të zhvillohet në Prilep, ku Pobeda do të jetë nikoqir i Shkupit. Dy ekipe që po luftojnë për të mbetur në ligë dhe do të bëjnë gjithçka që të arrijnë atë që e kanë paramenduar trajnerët e të dyja ekipeve. Pobeda për herë të parë këtë sezon do të luajë në Prilep, në stadiumin e ARS-së në fshatin Mogill, ndërsa përkundër kapacitetit të ulët (stadiumi zen vetëm 1.000 shikues), interesimi për këtë ndeshje është shumë më i madh. Mirëpo, futbollistët e Shkupit janë mësuar të luajnë në atmosfera të tilla dhe si në aspektin psikik poashtu edhe në atë fizik, janë të përgatitur për ti realizuar synimet e tyre. Ermedin Adem, në prag të kësaj sfide thotë se ai dhe shokët nuk kanë se çka të humbim dhe në Prilep shkojnë për të luajtur lojën e tyre dhe të ndëshkojnë çdo gabim të kundërshtarit.
“Mendoj se nuk kemi çka të humbasim në këtë ndeshje, ne do të shkojmë për të luajtur lojën tonë, me të cilën edhe kemi shënuar suksese në këtë sezon. Do të tentojmë që në secilin moment të ndëshkojmë çdo gabim të kundërshtarit, por në të njëjtën kohë duke u përkushtuar edhe në mbrojtje. Mendoj që ekipi vërtet është në një formë të mirë, por ndoshta në këtë ndeshje dobësia më e madhe do të jetë që luajmë në një fushë jashtë standardeve dhe shpresojmë të mos ketë asnjë problem. Kemi punuar në maksimum edhe për këtë duel dhe tani na mbetet që vetëm se të dalim në fushë për të treguar se Shkupi është ekip që duhet respektuar”, tha për faqen e klubit Adem. Trajneri Nuhiu edhe në këtë përballje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Emmanuel Mbella dhe Filip Janevskin.
Në përballjet tjera, spikat ballafaqimi mes Rabotniçkit dhe Sileksit si dhe Renovës mes Pelisterit. Vardari në derbin lokal është favorit absolut përballë Makedonija Gj.P. Të gjitha ndeshjes e javës së 23 do të fillojnë në ora 14:00.
Dyshet, java e 23
Bregallnica – Shkëndija
Mak.Gj.P. – Vardari
Rabotniçki – Sileksi
Renova – Pelisteri
Pobeda – Shkupi