Në Gjykatën Themelore sot filloi seanca e dytë për lëndën e re të Prokurorisë speciale publike “Titanik” që i përket dhjetë veprave të ndërlidhura me parregullsi zgjedhore. Të gjithë të akuzuarit, mes të cilëve edhe ish-funksionarët Nikolla Gruevski, Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski dhe Gordana Jankulloska, janë të pranishëm në seancën e sotme. Ata dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të të drejtave zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimi të zgjedhësve, mitmarrje gjatë zgjedhjeve dhe votim, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012. Mbrojtja në seancën paraprake kërkoi nga Gjykata që t’i anulojë seancat e caktuara për këtë muaj, me qëllim që të kryejnë verifikim të lëndëve. Nga PSP ishin kundër dhe konsiderojnë se propozimi i mbrojtjes është me qëllim që të zvarritet procedura. Gjykatësi Osman Shaban më 2 prill e anuloi gjykimin për këtë lëndë për dhjetë ditë , me qëllim që mbrojtja të kryejë verifikim të materialeve dëshmuese. Për këtë muaj për lëndën “Titanik” krahas seancës së sotme janë caktuara edhe dy seanca tjera, ndërsa për në maj edhe pesë.