Shkup, 21 mars – Në Gjykatën Penale për sot është caktuar seancë e re për lëndën “Tanku” të Prokurorisë Speciale Publike. Në “Tank” janë të akuzuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska dhe ish-ndihmës ministri në MPB Gjoko Popovski, për furnizim të mercedesit luksoz prej 600 mijë euro.
Sipas aktakuzës, në periudhën nga shkurti deri në fund të tetorit të vitit 2012 Nikolla Gruevski si person zyrtar i ka shfrytëzuar ndikimin dhe pozitën zyrtare dhe ka kërkuar nga ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska, të realizojë furnizim publik në të cilin Ministria do të blejë automjet të ri të blinduar “mercedes”, model “S-600 gard”, ndërsa në procedurë është favorizuar operatori ekonomik M.A. SHPKNJP, përfaqësues i përgjithshëm dhe distributor i automjeteve nga brendi “Mercedes”.
Jankulloska që ta përmbushë kërkesën, madje, e ka nxitur të akuzuarin ndihmës-ministrin Gjoko Popovski që të kryejë vepër penale keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit.
Në seancën paraprake që u mbajt më 15 mars u morën në pyetje tre dëshmitarë. Pas deklaratave të tyre, gjykatësja Dobrilla Kacarska e ndërprenë gjykimin për shkak të mospjesëmarrjes së dëshmitarit të katërt, i cili ka qenë i ftuar me rregull, ndërsa seancën e ardhshme e caktoi për sot.