Shkup, 21 janar – Në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për ndodhitë e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, kundër tetëmbëdhjetë të pa amnistuarve nga gjithsej 33 të akuzuar.
Procesi gjyqësor gjendet në fazë përfundimtare dhe në seancën e sotme pritet prokurorja Villma Ruskoska të bëjë ndryshimin e aktakuzës konform Ligjit për amnisti dhe të fillojë me dhënien e fjalëve përfundimtare.
Në bankën e të akuzuarve mbeten pesë veta të cilët nuk kërkuan amnisti: ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov, shefi për operacione speciale pranë MPB-së Dushko Lazarov, njëri nga drejtuesit e “Për Maqedoni të Përbashkët” Igor Durllovski, Jane Çento dhe Igor Jug nga Shoqatat patriotike si dhe 13 të akuzuar, kërkesat e të cilëve për amnisti ishin refuzuar.
Sanca e kaluar në gjykatë ishte anuluar, siç tha gjykatësja Dobrilla Kacarska, që të ketë kohë të mjaftueshme Apeli të përgjigjet në ankesat e kërkesave të refuzuara për amnisti dhe te mbetet në fuqi.
Gjykata ka refuzuar kërkesat për amnisti të Aleksandër Vasilevskit Ninxha, Nikolla Mitrovski Kolo, Goran Gjoshevski, Mitko Peshov, Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Mlladen Dodevski, Gorançe Angellovski, Vllatko Trajkovski dhe VIlijam Mihajllovski.
Gjykimi për “27 prillin” ka filluar në gusht të vitit të kaluar kundër 33 personave, ku 31 prej tyre për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje, ndërsa me ligjin e amnistisë janë falur 15 të akuzuar.