Bujar KURTAJ
Shkup, 19 shkurt – Kampionët e Maqedonisë dhe lideri aktual Vardari do të ketë një tjetër ndeshje në kampionat në “Telekom Arena” do të përballen me skuadrën e FC Shkupi. Siç e dimë bardhekaltërit janë skuadra e vetme e cila këtë sezon në dy përballje ngeli e pamposhtur në duelet me kuqezinjtë, për dallim prej skuadrave tjera, të cilat pësuan disfata. Kjo ndeshje do të zhvillohet pa publik, pas dënimit që KF Vardar e mori për incidentin në sezonin vjeshtor në përballjen me Renovën. Por, edhe përkundër kësaj, në fushë pritet të zhvillohet një “luftë” e madhe duke marr parasysh se tre pikët u nevojiten të dyja skuadrave.
“Në këtë gjysmë sezon na presin sfida jashtë zakonisht të vështira, por dua të potencoj se ne jemi përgatitur maksimalisht. Ndeshja e parë e sezonit pranveror na vë përballë kundër rivalit tonë më të madh Vardarit, të cilët në këtë ndeshje futen si favorit si kampion aktual dhe lider i tabelës. Ne nuk kemi nevojë për motivim për këtë ndeshje, pasi që gjithmonë dueli me Vardarin është motivim në vete. Jam i bindur se secili prej lojtarëve që do të luajnë në këtë përballje do të japin njëqind përqindëshin. Kampionati është i gjatë dhe qëllimi ynë kryesor është të sigurojmë sa më herët mbijetesën dhe të përfundojmë kampionatin në pozitë sa më të mirë”, deklaroi Muharem Bajrami.
Derisa nga tabori i kampionit thonë se radha është që të mundin Shkupin. “Ne në secilën ndeshje shkojmë për fitore, ndërsa fakti që ende nuk kemi fitore ndaj Shkupit këtë sezon, na jep edhe më shumë motivacion që më në fund ti mposhtim. Radha është që ti mundim dhe ti fitojmë tre pikët. Por duhet të kemi kujdes pasi që është ndeshja e parë, ndërsa gjithmonë ndeshjet e para janë të rënda për të gjitha ekipet, ndërsa luajmë pikërisht ndaj një ekipi i cili dëshmoi se ndaj skuadrave kryesuese luan shumë mirë dhe arrin rezultate të mira. Ne disponojmë me kualitet dhe unë shpresoj se të dielën në fund ne do ti gëzohemi fitores”, deklaroi portieri Gaçevski për “Makedonski Sport”, transmeton gazeta KOHA.
Tre pikë në ndeshjen e parë i dëshiron edhe konkurrenti i vetëm i Vardarit për titullin e kampionit, KF Shkëndija. Rivali i kuqezinjve në stadiumin e qytetit në Tetovë do të jetë skuadra e Sileksit, e cila sipas traditës humb në Tetovë. Kujtojmë, në 15 përballjet e fundit, ata vetëm njëherë kanë triumfuar edhe atë në Kratovë. Se a do të jetë ashtu edhe të dielën, këtë duhen ta dëshmojë fillimisht trajneri i ri Tomas Brdariç dhe përforcimet e reja të kuqezinjve të cilët në afatin kalimtar iu bashkuan skuadrës. Ndryshe, futbollistët janë të gatshëm për fillimin e sezonit pranveror, ndërsa synimi i tyre është që sezonin ta fillojnë me fitore.
“Mendoj se jemi të gatshëm për fillimin e gjysmësezonit pranveror, pasi kemi realizuar përgatitje cilësore gjatë të cilave kemi zhvilluar disa ndeshje të forta kontrolluese. Përforcimet adaptohen mirë, ne jemi këtu për tu ndihmuar dhe besoj se do të jemi më të fortë në pranverë. Ndeshja e parë nuk do të jetë e lehtë, gjithmonë starti është i vështirë pasi ekipi nga faza përgatitore duhet të hyjë në garat zyrtare dhe jo rrallë shfaqen vështirësi, por besoj se ne do ja dalim me sukses. Respektojmë Sileksin si gjithë skuadrat tjera, mirëpo dihet përcaktimi dhe ambiciet tona, kështu që synojmë të nisim me fitore. Besoj në numër të madh shikuesish, mbështetja e tyre gjithmonë është shtytje për ne dhe jam i bindur se bashkërisht do të rrugëtojmë në drejtimin e dëshiruar”, deklaroi për gazetën KOHA, kapiteni dhe futbollisti më i mirë i kuqezinjve, Ferhan Hasani.
Renova ndërkohë do të ketë një përballje të vështirë, përkundër faktit se si mysafir do të luajë kundër ekipit të fundit në tabelën e klasifikimit, KF Bregallnica. Për skuadrën nga Shtipi do të jetë kjo ndoshta mundësia e fundit për të shpresuar në mbijetesën në Ligë, por në anën tjetër djemtë e trajnerit Qatip Osmanit me fitore eventuale do të largohen edhe nga zona e balotazhit, pasi nga pozita e tetë, atë e ndajnë vetëm pesë pikë. Në përballjet tjera, spikat përballja mes Pobedës dhe Pelisterit, ndërsa interesante pritet të jetë edhe në stadiumin në lagjen “Gjorçe Petrov”, ku Makedonija Gj.P. do të pret Rabotniçkin. Të gjitha ndeshjet e javës së 19 të LPFM-së do të fillojnë në ora 14.00.
Dyshet:
Vardari – Shkupi
Shkëndija – Sileksi
Pobeda – Pelisteri
Bregallnica – Renova
Mak.Gj.P. – Rabotniçki
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.