Shkup, 2 dhjetor – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në orën 11 do ta vazhdojë debatin për draft-amendamentet, në kuadër të fazës së dytë të ndryshimeve kushtetuese.
Në fillim të debatit të djeshëm në kuadër të seancës së 64-t të Kuvendit, kryeministri Zoran Zaev, duke i shpjeguar amendamentet të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës, theksoi se mbetet i hapur për proces inkluziv, duke kërkuar nga të gjithë deputetët të intervenojnë në dorëzimin e amendamenteve.
Kryeministri tha se ato do të inkorporohen në Kushtetutë vetëm nëse Greqia e voton marrëveshjen dhe jep mbështetje për Protokollin për anëtarësim në NATO. Theksoi se ky vit dhe viti i ardhshëm, janë shumë të rëndësishëm për proceset tona eurointegruese dhe për të ardhmen e shtetit.
Zaev përsëriti se në iniciativën për ndryshime të Kushtetutës së RM-së sipas Marrëveshjes së Prespës nuk ka asgjë kontestuese, ndërsa Draft-amendamentet janë në pajtueshmëri me drejtësinë ndërkombëtare dhe me interesat e RM-së dhe perspektivave të saj në integrimet euroatlantike. Zaev u bëri replika deputetëve të opozitës të cilët dhanë kritika dhe vërejtje për procesin, që sipas tyre është jokushtetues dhe do të ndryshojë emri i shtetit.
Lidhur me referendumin, Zaev tha se ai është i suksesshëm por vendimi nuk është sjellë.Sipas tij, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski ka premtuar se do të ndihmojë në këtë proces.
Në debatin në Kuvend,deputetët e pozitës dhe opozitës kanë shkëmbyer akuza mes vete për atë se kush po krijon ndasi në shoqërinë e Maqedonisë, duke mos hequr dorë nga qëndrimet tashmë të shfaqura për dhe kundër ndryshimit të emrit me qëllim të anëtarësimit në BE dhe NATO.
Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov e porositi opozitën që të mos i mashtrojë qytetarët në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Ai përsëriti se në vendimin të cilin e kanë marrë të gjithë deputetët së bashku me draft amendamentet qëndron se amendamentet do të hynë në fuqi nëse Marrëveshja e Prespës dhe Protokolli për anëtarësim në NATO votohen në Greqi.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së theksuan se me ndryshimin e emrit dhe të Kushtetutës do të pasojë redefinim total i shtetit. Ata pyetën se çka do të bëjë Qeveria nëse Greqia nuk e pranon Marrëveshjen e Prespës dhe a do të fillojnë përsëri ndryshimet kushtetuese.
Zekir Ramçilloviq nga grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së paralajmëroi se tetë deputetët me mbështetjen e së cilëve u hapën ndryshimet e Kushtetutës do të votojnë të përmbajtur për tre amendamente, duke e përkujtuar kryeministrin se procesi i ndryshimeve kushtetuese lidhur me procesin e pajtimit dhe të faljes.
Seanca plenare mund të zgjasë 12 ditë, pasi për çdo amendament është parashikuar debat prej tre ditësh. Në këtë fazë të dytë për miratimin e amendamenteve nevojiten 61 vota.
Para Kuvendit gjatë mbajtjes së seancës janë mbajtur edhe protesta kundër ndryshimeve kushtetuese, të organizuar nga “Maqedonia Bllokon”.
Më 19 tetor Kuvendi me mbështetje prej 80 votash dhe 39 kundër, e filloi procedurën për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese. Shumica prej dy të tretash u sigurua me tetë votat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së opozitare, një pjesë e tyre të akuzuar në rastet e PPS-së dhe për ngjarjet e 27-prillit.