Komisioni kuvendor për çështje evropiane sot duhet ta vazhdojë seancën për Propozim ligjin për shfrytëzimin e gjuhëve, në lexim të parë. Siç kumtoi dje Komisioni për çështje evropiane për sot janë paralajmëruar fjalime përmbyllëse të koordinatorëve të katër grupeve më të mëdha parlamentare në Kuvend, pas çka duhet të votohet për Propozim ligjin.
Me ligjin parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase edhe alfabetit të saj, të jetë edhe gjuha që e flasin mbi 20 për qind të qytetarëve të Maqedonisë, gjuha shqipe.
Për propozuesin dhe deputetët e shumicës, ligji është pjesë e rrugës së integrimeve euroatlantike të Maqedonisë dhe në njëfarë mënyre nuk e prish as Kushtetutën e as karakterin unitar të shtetit. Për deputetët e opozitës, ndërkaq, ai është kundër kushtetues sepse, sipas tyre, flet edhe fakti që bartet me flamur evropian, edhe pse nuk ka kurrfarë rregullative evropiane me të cilën harmonizohet dhe ai do të sjell vetëm ndarje shtesë, e jo kohezion në shoqëri.