Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet ta vazhdojë debatin për Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve në lexim të parë. Debati i seancës së 15-të kuvendore për këtë ligj u ndërprit para fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale, ndërsa vazhdoi dje. Deputetët përsëri i kundërshtuan qëndrimet. Për shumicën parlamentare, ligji do të kontribuojë për rritjen e bashkëjetesës në shtet, nuk e prish karakterin e tij unitar dhe është në pajtim me Kushtetutën, ndërsa për opozitën nuk është kushtetues dhe zbatimi i tij do të çojë drejt dygjuhësisë në mbarë shtetin.
Kuvendi për këtë, duhet ta vazhdojë seancën e 12-të në rend dite të së cilës janë Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për pagesën e pagave në Republikën e Maqedonisë me procedurë të shkurtuar, Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përmbarim me procedurë të shkurtuar, Propozim-ligji për lëshimin e bonove me vlerë – vauçerë me procedurë të shkurtuar si dhe Propozim – vendimi për përcaktimin e numrit të nënkryetarëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.