Komunikacioni hekurudhor në Maqedoni për të pestën ditë është ndërprerë tërësisht për shkak të protestës së të punësuarve të cilët kërkojnë pagesën e plotë të pagës së janarit. Siç informojnë nga Stacioni hekurudhor në Shkup edhe sot nuk qarkullojnë trenat e pasagjerëve dhe ata transportues. Sipas organizatorëve të protestës, Sindikata e pavarur e HM, SHM-Infrastruktura dhe SP – Makinisti, ndërprerja e komunikacionit do të vazhdojë derisa nuk plotësohen kërkesat e vendosura për pagesën e plotë të pagës për janarin.
Prej “Hekurudhave të Maqedonisë – Transport” dje kumtuan se deri në fund të muajit do të gjejnë mënyra për ta paguar pjesën e parë të pagës së janarit, ndërsa prej më 10 mars edhe pjesën e dytë të pagës, që, për sindikatat organizatore të protestës është e papranueshme dhe insistojnë për pagesën e plotë. HM Transport informoi se në bashkëpunim me Qeverinë duhet të finalizohet edhe vendimi për zgjidhjen më afatgjatë të gjendjes në Hekurudhat e Maqedonisë.