Duke marr parasysh se në kreun e tabelës është gjithçka e qartë, ku prej xhiros së 29-të Shkëndija u shpall kampion i ri, gara mes ekipeve mbetet për plasman në Evropë dhe sigurimin e mbijetesës. Njëra prej dueleve që zgjon më tepër interesim është ajo mes FC Shkupi dhe Sileksit, dy ekipe që pretendojnë Evropën
Bujar KURTAJ
Shkup, 2 maj – Sfidat e Ligës së parë vazhdojnë edhe në mesjavë, kur sot (e mërkurë) në pesë fushat e Maqedonisë do të zhvillohen ndeshjet e javës së 32. Duke marr parasysh se në kreun e tabelës është gjithçka e qartë, ku prej xhiros së 29-të Shkëndija u shpall kampion i ri, gara mes ekipeve mbetet për plasman në Evropë dhe sigurimin e mbijetesës. Njëra prej dueleve që zgjon më tepër interesim është ajo mes FC Shkupi dhe Sileksit, dy ekipe që pretendojnë Evropën. Ndeshja zhvillohet në Çair, ndërsa presioni më tepër bie mbi nikoqirët, duke marr parasysh se Sileksi aktualisht mban pozitën e tretë me 45 pikë tetë më shumë se bardhekaltërit, por që këta të fundit kanë një ndeshje më pak. Pas barazimit 1-1 ndaj rivalit tjetër për të dalë në Evropë, Rabotniçkit javën e kaluar, atmosfera në radhët e “pëllumbave” është e mirë, ndërsa futbollistët presin fitore dhe përkrahjen e publikut.
“Na gëzon fakti se jemi në formë të mirë të gjithë lojtarët. Në ndeshjet e fundit kemi treguar se meritojmë të jemi sa më lart në tabelë. Nuk kemi shumë kohë me menduar për ndeshjet që po i lëmë pas, shkaku se po luajmë nga dy ndeshje në javë. Tash jemi të fokusuar për Sileksin që vjen në Çair ku shpresoj përsëri stadiumi të jetë i mbushur dhe në fund të festojmë fitoren me ‘Shvercerat’ dhe gjithë publikun”, deklaroi për faqen e klubit Omar Imeri. Për këtë ndeshje trajneri Zekirja Ramadani po ballafaqohet me probleme, pasi nuk do të mund të mbështetet në shërbimet e Kristian Stojkoskit, i cili ka pesë kartonë të verdhë, ndërsa në dyshim do të jetë paraqitja e Rron Brojës dhe Bllazhe Ilijoskit.
Ndryshe, edhe Shkupi, por edhe Sileksi do të jenë me mendje në Tetovë, pasi Rabotniçki përballet me Shkëndijën. Këta ta fundit pasi u shpallën kampion, i lejuan vetes të gabojnë ndaj Pobedës dhe Akademija Pandevit. Por, ndaj “romantikëve” thonë se do të jenë në nivel dhe do të arrijnë fitore para tifozëve të tyre. “Ne kemi kryer punën detyrën tonë në kampionat duke siguruar titullin dhe në kushte kur mendjen e kemi te finalja e Kupës ndodh që ekipi mos të jetë në nivelin e duhur. Këtu ndikojnë edhe arbitrat që duke ditur se pikët nuk na duhen dhe dy ndeshjet e fundit na kanë dëmtuar. Sigurisht se ne duam të vazhdojmë me fitore dhe sa më të gatshëm të presim finalen e Kupës. Besoj ndaj Rabotniçkit të jemi në nivel dhe të festojmë fitore të re para tifozëve tanë”, deklaroi për KOHA, Besmir Bojku.
Ndërkohë me mendje në Tetovë do të jetë edhe Renova, e cila gjithashtu synon pozitën e katërt. Kundërshtari i “gjipspunuesve” do të jetë Pelisteri, skuadër kjo e cila po “lufton” për mbijetesë. Në ndeshjet tjera, Akademia Pandevi do të pret Pobedën, gjithashtu në “luftën” për mbijetesë” si dhe Vardari do të sfidohet nga “Skopje”.
DYSHET:
Shkëndija – Rabotniçki
Shkupi – Sileksi
Vardari – Skopje
Pelisteri – Renova
A.Pandev – Pobeda