Evis HALILI
Shkup, 16 mars – Akademia e Shkencave dhe Arteve duhet të distancohet nga qëndrimet radikale të anëtarëve të saj dhe nga loja që konfliktin politik ta shndërrojë në etnik. Kështu pohojnë analistë dhe akademikë shqiptarë, pas prononcimeve ultra radikale të anëtarëve të saj, por edhe qëndrimit asnjanës të pjesës tjetër. Për akademikun e jashtëm Ali Aliu, në këto momente është e rëndësishme ë vetë institucioni të distancohet nga retorika e anëtarëve të saj. “Ky është momenti që duhet të kihet kujdes dhe ASHAM të mos rrëshqasë si pjesëmarrëse në këtë krizë, duhet të bëjë apel që anëtarët e saj të mos kenë gjuhë të urrejtjes”, sugjeron për KOHA, Aliu. “Kemi të bëjmë me qëndrime individuale dhe nuk besoj se këto qëndrime si të Maxhunkovit i kanë edhe akademikë të tjerë. Është për t’u habitur që një emër i njohur, një krijues të ketë një mendim që kufizon me një ngarkesë nacionaliste të tipit më të skajshëm. Edhe pse këto janë mendime individuale dhe asnjë individ nuk mund të flasë në emër të institucionit, por në raste të tilla do të duhej që institucioni të distancohej prej tyre dhe qëndrime të skajshme nacionaliste, madje edhe raciste. Të konsiderosh gjuhën e fqinjit si një tragjedi dhe fundin e një etnie është me të vërtetë absurde. Dhe kur institucioni nuk distancohet zyrtarisht nga mendime të tilla për mua kjo është shqetësuese. E dëgjova edhe fjalimin e kryetarit i cili ishte shumë përgjithësues, në formën që flet shumë, por nuk thotë asgjë. Ai nuk i adresohej askujt, as diskutimit problematik të anëtarit të vet”, thotë Aliu. Por qëndrimet e anëtarëve të këtij institucioni për analistin Nijazi Muhamedi janë pjesë e një loje që ASHAM e luan prej vitesh, ndërsa rreshtimi në mendime pro dhe kundër është pjesë e kamuflimit të politikave të saj unitare kundër shqiptarëve. Muhamedi për gazetën KOHA pohon se në këtë rast ato që duhet të distancohen janë vetë akademikët shqiptarë, jo në formë deklarative, por të heqin dorë nga anëtarësia e tyre. “Akademia ka formuluar që prej themelimit të saj projekte të ngjashme dhe vazhdon po në të njëjtën rrugë. Ashtu ndodhi edhe në 2001 me ndryshimet kushtetuese, që në fakt dolën që nuk ishin të tillë. Janë po këta akademikë që luajnë një ping-pong të përhershëm, varësisht partisë që përfaqësojnë, njëri vendoset në pozicione të moderuara, tjetri me qëndrime agresive. Kjo çështje ngatërrohet akoma edhe më shumë kur vetë shqiptarët bëhen anëtarë të kësaj Akademie, pasi në shtete si ky i jonë – secili duhet të ketë institucionet e veta. Dhe akademikët shqiptarë nuk mund të shesin dëngla, jo u distancuam, e të tjera, pasi vetë anëtarësimi dhe pjesëmarrja e tyre në një institucion që ka mision të tillë përjashtues për të tjerët. Nuk duhet t’na eglendisin buzëqeshjet e tyre, replikat që bëjnë pas këtyre ngjarjeve”, thotë Muhamedi. Sipas tij loja që po luan institucioni më i lartë shkencor është që të shndërrojë këtë konflikt mes partive politike në një konflikt etnik, ndërsa obligimi më i vogël i pjesës shqiptare brenda saj është largimi nga ky institucion. Një ditë më parë akademiku Maxhunkov shokoi sërish opinionin me deklaratën e tij, në të cilën ai e quante “Deklaratën e Tiranës” mes partive shqiptare si një tentativë për të islamizuar dhe shqiptarizuar Maqedoninë, ndërsa përdorimin e gjuhës shqipe si kolonizim të vendit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.