Hong Kong, 21 qershor – Disa qindra persona përsëri protestuan në Hong Kong duke kërkuar dorëheqje nga kryeministrja Keri Lam.
Kjo është një nga krizat më të mëdha politike në Hong Kong në dhjetë vitet e fundit.
Protestat zgjasin disa javë për shkak të ligjit kontestues për ekstradim të qytetarëve të Hong Kongut në Kinë. Kundërshtarët e ligjit bëjnë të ditur se sistemi juridik i Kinës nuk do t’iu garantojë të drejtat e njëjta të akuzuarve si i kanë në territorin gjysmë autonom kinez.
Keri Lam për shkak të presionit të protestuesve para pak kohësh kumtoi se draft ligji kontestues tërhiqet nga procedura për miratim, por qytetarët kërkojnë që ligji të tërhiqet në tërësi.
Protestuesit e veshur në të zeza dhe me maska këndojnë slogane kundër pushtetit. Organizatorët e protestave iu bënë thirrje qytetarëve për piknik të madh para Parlamentit. Ata kërkojnë tërheqjen e ligjit, dorëheqje të kryeministres, lirimin e protestuesve të arrestuar, si dhe hetim për dhunë policore.
Në vitin 1997 Britania e Madhe e dorëzoi Hong Kongun me garanci se territori do ta ruajë sistemin social, juridik dhe politik në 50 vitet e ardhshme sipas formulës “një vend, dy sisteme”. Por, Kina gjithnjë e më shumë largohet nga marrëveshja dhe insiston për ndryshime të ligjeve.