Shkup, 17 janar – Vazhdojnë edhe më tej përplasjet në Lëvizjen BESA. Mbështetësit e Bilall Kasamit paralajmërojnë padi penale kundër hapjes së selisë paralele në Tetovë nga ana e siç shprehen të ashtuquajturit “krahu i Shkupit”. Abdush Demiri nga radhët e mbështetësit të Kasamit thotë se selinë e hapur ditë më parë nga mbështetësit e Kahremanit nuk e llogarisin si seli zyrtare të kësaj partie.
Së pari ajo nuk është zyrë e Besës. Lëvizja Besa ka organet e veta dhe ka legjitimitetin e vet. E dënojmë aktin e tillë të disa personave të cilët keqpërdorin emrin dhe emblemën e Lëvizjes Besa dhe për këtë do të ngremë padi për të gjithë ata të cilët keqpërdorin emrin dhe emblemën e Lëvizjes Besa – tha Abdush Demiri, zëdhënës i Lëvizjes Besa.
Nga ana tjetër mbështetësit e deputetit Nexhbedin Kahremani ditë më parë kanë përgatitur kërkesë për te Regjistri Qendror që të bëhet ndërrimi i emrit të kreut të Lëvizjes Besa nga Bilall Kasami në u.d kryetar Nexhbedin Kahremani. Pavarësisht se ata thonë se e kanë dërguar kërkesën, nga ana e Regjistrit Qendror nuk konfirmojnë nëse një kërkesë e tillë ka mbërritur deri tek to. Mbështetësit e Kasamit thonë se zvarritja e kësaj procedure tregon për mungesë të fakteve nga ana e palës tjetër.
Të gjithë ata të cilët kanë kontestuar legjitimitetin e kryetarit Bilall Kasami dhe Lëvizjes Besa, kanë pasur mundësi që të ngrisin procedura gjyqësore por e shohim se ata një gjë të tillë nuk e kanë bërë, kjo nënkupton se nuk i kanë argumentet për një gjë të tillë. Jemi të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, Lëvizja Besa i ka organet e veta dhe ka përfaqësuesin e vet kryetarin Bilall Kasami – dekalroi Abdush Demiri, zëdhënës i Lëvizjes Besa.
Mbrëmjen e së hënës i ashtuquajturi “krahu i Shkupit” me në krye deputetin Kahremani bënë hapje solemne të selisë së Besës në Tetovë, pavarësisht se kjo Lëvizje veç më posedon zyrat e saj në qytetin e Tetovës. Burime brenda Lëvizjes thonë se kjo parti po shkon drejt ndarjes, ndërkaq ditë më parë vetë Kahremani nuk përjashtoi mundësinë e formimit të një partie të re, në rast se kërkesa e tyre për marrjen e vulave nuk pranohet nga ana e institucioneve kompetente. Muajin e ardhshëm kjo Lëvizje ka caktuar Kongresin e saj, në të cilin do të zgjidhet drejtuesi i kësaj partie. (alsat)