Shkup, 18 mars – Ligji i ri për noterët, i cili hyri në fuqi nga janari i këtij viti, e që njëherësh parasheh inkuadrimin e avokatëve në akte noteriale të palëve me mbi 10 mijë euro, u bë shkas për ngritjen e qëndrimeve të kundërta të noterëve dhe Organizatën e Punëdhënësve të Maqedonisë (OPM), shkruan gazeta KOHA. Për noterët, dilema kryesore është se çfarë duhet të bëjnë palët në rast se do të bëjnë akte noteriale me mbi 10 mijë euro, ndërkohë që OPM konteston Ligjin e ri për noteriat pikërisht sepse parashihet se në aktet noteriale, kanë të drejtë vetëm avokatët, por jo edhe juristët që punojnë nëpër firma private. “Kështu siç parashihet në Ligjin e ri për noter, juristët që punojnë në firmat private janë në një pozitë diskriminuese kundrejt avokatëve dhe kjo do të rrisë harxhimet e firmave private. Njëherësh, ndryshimet ligjore i eliminojnë të gjithë juristët e punësuar në firmat private”, thotë për KOHA, Angel Dimitrov, kryetar i OPM-së. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për noterë, Dimitrov thotë se firmat private do të detyrohen t’i largojnë nga puna juristët, sepse deri më tani – noterët nuk lejonin pjesëmarrjen e tyre gjatë proceseve të akteve noteriale. “Kemi ngritur iniciativë, e cila ka marrë përkrahjen edhe të Odave Ekonomike të Maqedonisë. Përkrahja është siguruar pasi grupi punues i OPM-së, i përbërë nga persona profesional të sektorit të biznesit, propozuan tekst konkret për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të ri për noter”, thotë Angel Dimitrov, kryetar i OPM-së. Edhe sipas noterëve, me pjesëmarrjen e detyrueshme të avokatëve në proceset noteriale, jo vetëm që noteria degradohet si një shërbim publik i pavarur, por e cenon edhe të drejtën e vullnetit të lirë të palëve, gjë që do të rris shpenzimet në procedurën para noterit. “Çdo pjesëmarrje të palëve në aktet noteriale, Ligji i ri parasheh që palët detyrohen të angazhojnë avokatë edhe përkundër dëshirës së tyre në raste të cilat nuk janë aspak kontestuese, gjë që do të rrisë shpenzimet në procedurën para noterit”, thonë nga Oda e Noterëve të Maqedonisë. Mirëpo, në anën tjetër – kryetari i Odës së Avokatëve Maqedonisë, Nikolla Dodevski, thotë se pjesëmarrja e avokatëve në aktet noteriale aspak nuk do të rrisë shpenzimet e qytetarëve, por përkundrazi – gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve palët fitojnë më shumë siguri. “Aspak nuk është e vërtet se pjesëmarrja e avokatëve në aktet noteriale do të rrisë shpenzimet. Ligji i ri parasheh saktë se sa do të jenë harxhimet. Nëse një akt noterial ka tarifën 10 mijë denarë, atëherë 50 për qind apo 5000 denarë nga noteri do të duhet të shkojnë për avokatin”, thotë Dodevski. Ai, gjithashtu mohon se nëse palët për bartjen e pronësisë apo trashëgimisë nuk pajtohen, gjegjësisht nëse janë 5 apo 6 persona atëherë duhet secili prej këtyre të marrë avokat. “Kjo aspak nuk është e vërtetë. Nëse palët kontestojnë bartjen e pronës apo trashëgimisë ata lëndën duhet ta dorëzojnë në gjykatë dhe të kontestojnë dhe për këtë nuk ka nevojë angazhimi avokatëve. Pra, për lëndët kontestuese nuk është kompetencë e noterëve, por e gjykatave. Ndërsa sa i përket sigurisë që e fitojnë palët – është se me praninë e detyrueshme të avokatit në cilësi të të autorizuarit, si dhe vula dhe nënshkrimin i tij gjatë përpilimit të akteve noteriale, është garanci se përgjegjësia bie mbi avokatin e jo sikurse tani që janë nënshkruar shumë marrëveshje të gatshme nga noterët, ndërsa në vulën e noterit shkruan qartë se për përpilimin e këtij akti noterial, përgjegjësia bie mbi palët nënshkruese e jo mbi noterin”, thotë Dodevski, kryetar i Odës së avokatëve të Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.