Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj edhe pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar konfrontimin për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Derisa i pari i vendit thotë se marrëveshja finale me Serbinë duhet të përfshijë edhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, kreu i Qeverisë në anën tjetër ka thënë se mbetet arritja e një marrëveshjeje pa prekur kufijtë.
Opozita e vendit ka deklaruar se nëse Thaçi nuk zmbrapset nga kjo ide e tij për korrigjim të kufirit do të vazhdojë me protesta gjithëpopullore, ndërkaq njohës të çështjeve politike kanë thënë se tash e disa ditë presidenti Thaçi nuk ka folur për korrigjim të kufijve, pasi nuk ka dashur të ndikojë në procesin e referendumit në Maqedoni për marrëveshjen e këtij shteti me Greqinë.
Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për medie dje ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të përfshijë korrigjim të kufijve, por jo shkëmbim të territoreve.
“Unë kam besim se kjo situatë do të tejkalohet në ditët dhe në javët e ardhshme. Duhet të përsëris edhe një herë se propozimi im për korrigjimin dhe për demarkimin në mes të Kosovës dhe të Serbisë si pjesë e marrëveshjes ligjërisht mes Kosovës dhe Serbisë, kusht kryesor do ta ketë njohjen reciproke në mes të dyja shteteve. Po ashtu kjo marrëveshje do të përfshijë edhe bashkimin e Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën”, ka thënë ai.