Shkup, 10 tetor – Përfaqësuesja A e Maqedonisë vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Lihtenshtajnin në kuadër të Ligës së Kombeve më 13 tetor në Arenën Nacionale “Filipi i Dytë” në Shkup”, bën të ditur faqja zyrtare e FFM-së, transmeton gazeta KOHA.
Të përzgjedhurit e seleksionuesit Igor Angellovski në atmosferë shumë pozitive kanë zhvilluar dy seancat e para në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski”. Maqedonia ka start perfekt në Ligën e Kombeve duke shënuar efekt maksimal prej dy fitoreve në dy takimet e para, fillimisht në transfertën me Gjibraltarin dhe më pas në Shkup në duelin direkt me Armeninë. Tash pason përballja e të shtunës me Lihtenshtajnin, që më 16-të tetor të vijë transferta kyçe me Armeninë ne Erevan.
“Kemi dy fitore në start të Ligës së Kombeve, por asgjë nuk është e kryer. Gëzon fakti që jemi në formë të mirë, kemi lojtarë cilësorë dhe me atmosferë pozitive presim ndeshjen me Lihtenshtajnin.Patjetër ta fitojmë këtë ndeshje. Mirëpo, sërish potencoj se asgjë nuk është gati. Nuk do të jetë lehtë, pasi në futboll ndodh gjithçka. Por besoj se jemi më cilësorë, ndërsa fitojmë kualitet me rikthimin e Hasanit dhe Ademit. Duhet të luajmë me përkushtim dhe koncentrim si në ndeshjet paraprake. Nëse mbajmë atë nivel, sigurt do të fitojmë. Kam shënuar dy gola në dy ndeshjet paraprake, dua të vazhdoj këtë seri por në plan të parë mbetet të fitojmë, ndërsa nuk ka lidhje kush do bëjë gol. Do jem i lumtur nëse marrim tre pikët dhe unë mos shënoj”, deklaroi Alioski.
Sulmuesi i Maqedonisë dhe AEK Larnaka-s, Ivan Triçkovski për shkak të lëndimit definitivisht del nga kombinimi për ndeshjet e rradhës në Ligën e Kombeve me Lihtenshtajnin (13 tetor) dhe Armeninë (16 tetor). Pas testimeve mjekësore të detajuara është konfirmuar se Triçkovski ka zgjatje të muskulit të kofshës dhe për rikuperim do të ketë nevojë të pauzojë dhjetë ditët e ardhshme.
Të gjithë spektatorët e Maqedonisë mund të sigurojnë bileta për ndeshjen Maqedoni-Lihtenshtajn përmes rrjetit shitës MKTickets. Biletat shiten me çmim prej 100 denarëve për tribunën jugore dhe 150 denarë për tribunën veriore të Arenës Nacionale.