Zemërimi popullor nuk po bie në Liban. Pavarësisht largimit të qeverisë, protestuesit vazhdojnë përleshjen me policinë. Ata kërkojnë përmbysjen e plotë të sistemit dhe të klasës politike, që e akuzojnë për korrupsionin e qeverisë dhe keqmenaxhim e vendit.
Largimi i qeverisë libaneze nuk e qetësoi gjendjen në vend dhe protestat vazhdojnë. Ky është tregues i zemërimit popullor që u rindez pas shpërthimit vdekjeprurës në portin e Bejrutit që deri më tani ka shkaktuar mbi 200 viktima, plagosi rreth gjashtëmijë dhe la rreth 300 mijë të pastrehë.
Përleshjet me policinë ndodhën pranë ndërtesës së parlamentit, ku protestuesit i hodhën kapsolla dhe gurë policisë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gazlotsjellës.
Protestat vazhdojnë pavarësisht se qeveria libaneze dha dorëheqjen. Kryeministri Hassan Diab fajësoi për shpërthimin korrupsionin endemik në vend, por gjatë fjalimit të tij para kombit refuzoi të marrë përsipër ndonjë përgjegjësi.