Shkup, 31 janar – Bashkëpunimi në mes Prokurorisë Speciale Publike(PSP) dhe Gjykatës Penale te Shkupit (GJPSH), vazhdon të zhvillohet me obstruksione dhe pengesa për punën e mëtejme të prokurorisë që udhëhiqet nga Katica Janeva. Këto akuza, përmes një komunikatë për media, i ka bërë publike PSP, e cila ka njoftuar se më datë 20 janar të këtij viti, gjykatësit kujdestar të Sektorit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në GJPSH, i janë dorëzuar disa kërkesa për dhënie të urdhrit për bastisje. Mirëpo, për shkaqe ende të panjohur, ky gjykatës është ndërruar dhe kërkesat u janë dorëzuar gjykatësve tjerë.
”Kërkesat e parashtruara kanë të bëjnë me procedura të ndryshme hetimore dhe para hetimore të cilat i zbatojmë ne. Në vazhdën e kërkesave tona janë dorëzuar edhe dëshmi dhe bisedime të bisedave telefonike nga ndjekja e paligjshme e komunikacioneve, për të cilat ka kompetenca Prokuroria Speciale. Edhe pse kërkesat janë dorëzuar te gjykatësi kujdestar, megjithatë për arsye të panjohura për PSP, gjykatësi kujdestar është ndërruar dhe kërkesat i janë ndarë gjykatësve tjerë që të veprojnë për to. Vendimet për kërkesat tona janë sjellë pas mbarimit të afateve ligjore, me çka procedura është zvarritur dhe pamundëson urgjencë në veprim. Në këtë drejtim, Kodi Penal parasheh afate të shkurtra, edhe atë me kërkesë për dhënien e urdhrit për bastisje, gjykatësi është i obliguar që të sjellë vendim në afat prej 12 orëve, ndërkaq nëse shpreh papajtueshmëri, atëherë Këshilli Penal duhet të vendos në afat prej edhe 24 orëve shtesë”, thuhet në kumtesën e fundit të PSP.
Urdhri i vetëm për bastisje të cilën kjo gjykatë ia ka dorëzuar PSP, siç thuhet në komunikatë, është ajo që ka të bëjë me rastin “Titanik”, e ndarë me 25 janar të viti të kaluar. Pas marrjes së kësaj urdhërese, PSP realizoi bastisje në një lokacion në Shkup, që ka pasur lidhje me procedurën hetimore të rastit të theksuar. Të gjitha kërkesat tjera për dhënie të urdhrit për bastisje, të cilat kanë të bëjnë me ish funksionarë të lartë dhe funksionarë të lartë të tanishëm, nga PSP njoftojnë se janë refuzuar.
“Gjykatësve për procedurë hetimore, të cilëve u janë ndarë këto lëndë, janë Elena Josifoviq dhe gjykatësja Aleksandra Pop-Stefanija, të cilat kanë shprehur papajtueshmëri për kërkesat për dhënie të urdhrit për bastisje, ndërkaq Këshillat Penal të përbërë nga gjykatësit Lubinka Basheska, Goran Boshevski dhe Vlladimir Pançevski nga njëra anë dhe gjykatësit Lenka Davitkova, Diana Gruevska Ilievska, Ivica Stefanovski nga ana tjetër, i kanë mbështetur papajtueshmëritë e gjykatësve që nuk i kanë pranuar kërkesat e PSP-së”, njoftojnë nga PSP. Ndryshe, nga kjo prokurorit shtojnë se deri te ata ende nuk janë dorëzuar procesverbalet, por as xhirimet nga seancat e mbajtura me rastin e propozimeve akuzuese të cilat janë dorëzuar, në lëndën për dhunë në Komunën Qendër dhe për shkatërrim të dokumenteve në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. (O.XH)